Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla deklaron se qyteti i Librazhdit është një prej bashkive të gjelbërta nga koronavirusi dhe prej të hënës do të ketë një lehtësim të lëvizjes, por me rregulla strikte dhe me orare te percaktuara. Sipas Ballës, mëngjezi deri në orën 08.30 vetëm për pensionistet. Ndërsa nga ora 9.30 deri në 17.30 mund të dalin të gjithë të tjerët nga shtëpia.
Gjithashtu të hënën Bashkia e Librazhdit nis fazën e dytë të shpërndarjes së ndihmave ushqimore për ato familje që kanë nevojë në këtë kohë pandemie. Me fondin e Emergjencave Civile, Bashkia e Librazhdit ka bërë blerjet e pakove ushqimore të cilat janë llogaritur të plotësojnë nevojat e një familje për një periudhë një mujore.
Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Librazhdit Kastriot Gurra ishte në qendrën e grumbullimit dhe paketimit të pakove ushqimore në Librazhd, të cilat më pas shpërndahen nga grupet e vullnetarëve dhe punonjësve të bashkisë për familjet në nevojë.
“Sot në këto ditë të para të Muajit të Ramazanit do të doja t’i uroja besimtarëve “Agjërim të Lehtë dhe të pranuar”. Jemi në Librazhd së bashku me grupin e punës që gjatë këtyre 6 javëve kanë bërë një punë të shkëlqyer për t’u ardhur në ndihmë të gjitha familjeve në nevojë, por edhe të moshuarve të cilët e kanë pasur detyrim të mos dalin nga shtëpia.
Sot nisim fazën e dytë, ku bashkia Librazhd i ka blerë ndihmat ushqimore me fondet e saj, ndërsa deri tani mbështetja e donatorëve ishte një ndihmesë shumë e madhe. Një pako e plotë ushqimore shkon në 50 kg duke llogaritur edhe thesin e miellit 25 kg. dhe të gjitha bazën tjetër ushqimore si patate, fasule, oriz, makarona, vaj, detergjente etj.
Jemi në Muajin e Ramazanit dhe Librazhdi ka një numër të madh besimtarësh që agjërojnë dhe ne do të kujdesemi që për këdo që ka realisht nevojë të mos i mungojnë pakot ushqimore”, deklaroi Balla.
Ndërsa, kryebashkiaku, Gurra në fjalën e tij vuri në dukje kriteret e përcaktuara për ato familje që përfitojnë pakon ushqimore ndërsa garantoi se bashkia do të jetë pranë cilitdo që ka nevojë. “Nisim sot një fazë të dytë shpërndarje për të gjitha kategoritë që janë përcaktuar me VKM dhe që përfitojnë pako ushqimore në këtë periudhë pandemie. I shprehim mirënjohjen të gjithë kontributorëve që na ndihmuan në fazën e parë.
Tashmë në fazën e dytë, ne kemi bërë blerjet me fondet e bashkisë. Pakot ushqimore do të shkojnë për ato familje që vërtet kanë nevojë. Pakot ushqimore që ne kemi përgatitur janë të mjaftueshme për një periudhë një mujore”, tha Gurra.