Shefki Çepi, një i moshuar nga fshati Xhyrë i Njësisë Administrative Hotolisht në Bashkinë e Librazhdit, vuan prej dekadash nga një deformim i rëndë i shtyllës kurrizore, i cili nisi që në fëmijëri. Deformimi përparoi me shpejtësi, duke i dhënë shtyllës së tij kurrizore një formë të pazakontë, si gërma “L”. Sëmundja, e panjohur ose pak e njohur në atë kohë, i ktheu jetën në një torturë të vërtetë.
Përveç dhimbjeve të vazhdueshme, deformimi i ka shkaktuar mpirje dhe dobësi në pjesën e poshtme të trupit, probleme me frymëmarrjen, lodhje të shpejtë dhe dobësi të zemrës. Këndi i lakimit të shtyllës kurrizore të 67-vjeçarit tashmë ka arritur mbi 60-70 gradë dhe, kur është në lëvizje, duket edhe më i rënduar.
Të afërmit e tij tregojnë se ai është dërguar tek mjeku shumë kohë pasi ishte vërejtur shtrembërimi i shtyllës kurrizore. Mungesa e kontrolleve mjekësore, diagnostifikimit dhe trajtimit në kohë bëri që sëmundja të përparonte në mënyrë të pakthyeshme. Fatkeqësisht, reduktimi i progresit të lakimit të shtyllës kurrizore nuk ishte i mundur për arsye të shumta. Me përparimin e sëmundjes, dhimbjet u bënë gjithnjë e më intensive dhe të padurueshme.
Prindërit e tij, në vitet e fundit të jetës, shitën gjithçka në fshat dhe blenë një dhomë modeste në katin e parë të një ndërtese të vjetër në qendër të qytetit, të njohur nga vendasit si “Kursi i Partisë”. Në këtë dhomë, Shefki Çepi, përveç deformimit të shtyllës kurrizore, vuan edhe nga sëmundje të tjera dhe jeton në vetmi, në kushte tejet të vështira.
Të afërmit dhe fqinjët kujdesen për të sa herë kanë mundësi, ndërsa e ardhura e tij e vetme është pagesa e Kempit prej 11.000 lekësh të reja.
Lavdie Nogu, e motra e tij, tregon mes lotësh se jeta e 67-vjeçarit ka qenë një ferr i vërtetë për shkak të sëmundjes dhe vështirësive ekonomike. Historia e tij është edhe më e dhimbshme, pasi në shtëpinë ku jeton i vetëm, tre herë kanë hyrë grabitës, të cilët i kanë vjedhur gjithçka.
Duke përfituar nga gjendja e tij e rënduar shëndetësore dhe fakti që jeton i vetëm, hajdutët e kanë plaçkitur disa herë, duke marrë ushqimet, televizorin, frigoriferin, sobën, drutë e dimrit, madje edhe lugët dhe pjatat. Në disa raste, ai është dhunuar nga grabitësit.
E motra e tij tregon një rast kur, sapo vajza e saj i kishte sjellë një makinë me ushqime, gjetën hajdutin brenda në shtëpinë e Shefkiut duke marrë gjithçka. Por ngjarja më tronditëse ishte një rast kur grabitësi i kishte marrë edhe protezat e dhëmbëve, duke e lënë në një gjendje edhe më të rëndë.
“Këto raste i kemi denoncuar në polici, por asgjë nuk ka ndodhur ndaj atyre që vodhën banesën e të moshuarit”, thotë Lavdie Nogu.
Kur është në gjendje pak më të mirë, Shefkiu del jashtë për pak ajër të pastër, por shpesh është objekt i talljeve dhe ngacmimeve nga të panjohur.
Gjendja e tij shëndetësore përkeqësohet çdo ditë, ndërsa kujtesa i është dobësuar ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit. Fatkeqësisht, nuk ka as vëllezër dhe as motra pranë, përveç Lavdies, e cila edhe vetë është e sëmurë.
I moshuari mezi arrin të shprehet, por mes vështirësive e thotë qartë një gjë: “Kam nevojë për ndihmë për të përballuar vështirësitë e jetës dhe sëmundjen.”