Vjehrri dhe vjehrra e nuses e cila u kap në shtrat me të dashurin e saj kanë përfunduar duke u ndjekur penalisht nga Policia pas dhunës së ushtruar ndaj të resë në videon e shpërndarë nga ata për mediat.
23-vjeçarja nga fshati Togëz i Librazhdit është dhunuar nga vjehrrit e saj dhe sipas informacioneve, këta të fundit i kanë rruar kokën.
Më parë u raportua se reja përfundoi në psikiatri në gjendje të rënduar psikologjike në tentativë për t’i dhënë fund jetës.
E reja ka marrë urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje nga Policia e Shtetit. Bashkëshorti i saj është emigrant në Londër dhe sipas burimeve të pakonfirmuara kjo ishte hera e dytë që familja e burrit e kapte nusen me të dashurin.
Mediat shkruajnë se e reja e ka shtëpinë në emrin e saj dhe kjo është arsyeja pse nuk ikën. Ajo thotë se janë vjehrria e saj që duhet të largohen pasi kur ajo dhe bashkëshorti i saj janë martuar, babai i saj ka dhënë paratë për të ndërtuar shtëpinë.
23-vjeçarja thuhet se tashmë ndodhet në shtëpinë e prindërve në Gizavesh të Librazhdit.