Këshilli i Ministrave vendosi sot me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i parkimit publik, lulishte e ndriçim”, Bashkia Cërrik.
Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Cërrik.
Pronarët kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse për pasuritë e llojit “tokë truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë të përgjithshme prej 1 883 925 lekësh.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit përballohet nga buxheti i Bashkisë Cërrik.
Sipas vendimit, shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 lekë, përballohen nga Bashkia Cërrik.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të vendimit në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është 3 muaj nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Sipas vendimit, pronarët kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Cërrik.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe bën kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Cërrik.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësive në favor të Bashkisë Cërrik për pasuritë e shpronësuara.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Cërrik, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e vendimit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”