Erin Godanci, apo siç njihet me emrin e tij të artit DJ Erin Go Dance ka ndërruar jetë në moshën 25-vjeçare. Erini ka patur si profesion inxhinierinë e shkencave kompjuterike, ka qenë i punësuar në një kompani private të sigurisë kibernetike në vend.
Ndërkohë, ai njëkohësisht ka qenë prej vitesh pjesë aktive e jetës së natës në kryeqytet. Në majin e vitit 2020, gjatë periudhës së karatinës, Erin Go Dance ka realizuar disa performanca online.
Erin Godanci ka luajtur në instrumente të ndryshme muzikore, duke filluar si kitarist, për të vazhduar më vonë edhe me bateri, ku së bashku me shokët e tij, krijuan edhe grupin muzikor të këtij zhanri, në Prishtinë.
Vlen të përmendet se gjatë këtij rrugëtimi muzikor, Erin Go Dance dëgjoi dhe gjeti inspirimin e tij në artistë dhe grupe muzikore të njohura si: Depeche Mode, Trentemøller, Massive Attack, Daft Punk, Nine Inch Nails e shumë të tjerë.
Kjo fazë ishte shumë e rëndësishme për karrierën e tij, gjatë të cilës i lindi një dashuri e re ndaj tingujve dhe ritmit të muzikës elektronike. Më vonë u bë faktor kryesor për ta shtyrë në botën e këtij zhanri.
Rreth vitit 2014 fillimisht ai u inkuadrua në ketë rrymë si producent, duke krijuar tinguj të ndryshem të muzikës elektronike dhe më pas edhe të performonte si DJ.