Ky shtet vazhdon ta ruajë fort suksesin e tij mbi koronavirusin. Vendi nuk ka regjistruar asnjë rast të ri, e ndërsa numri i të infektuarve mbetet gati 1.500, më shumë se 90 për qind e tyre tashmë janë shëruar. Bilanci i viķtimave nuk ka lëvizur nga shifra 21. Bëhet fjalë për Zelandën e Re.
Kryeministrja Jacinda Ardern deklaroi se do të lehtësojë më tej masat e izolimit këtë javë, duke lejuar hapjen e dyqaneve të shitjes me pakicë, kinemave, shesheve të lojërave dhe palestrave, megjithëse rregullat e distancimit fizik do të vazhdojnë të mbeten në fuqi. Mësimi në shkolla do të rinisë normalisht në 18 maj, ndërsa baret do të lejohen të hapen nga 21 maji, sqaroi Ardern.
Por shefja e ekzekutivit neozelandez e bëri të qartë se kufijtë e vendit do të vazhdojnë të mbeten të mbyllur për vizitorët e huaj. Për të frenuar përhapjen e koronavirusit, Ardern, në fund të marsit pat urdhëruar mbylljen e të gjitha aktiviteteve ekonomike, përveç shërbimeve thelbësore. Në 27 prill, ajo deklaroi se koronavirusi në Zelandën e Re është eliminuar.