Nëna e Artur Carës e di se si ja gënjyen rrëmbyesit të birin ditën e shtatë korrikut 2004.
Ishte verë dhe 9 vjeçari po ndihmonte prindërit në tregun e Elbasanit duke punuar në shitblerjen e qeseve.
Dikush u afrua dhe i kërkoi ta ndihmonte të transportonte ushqimet me makinë.
“Prej datës 7 korrikut 2004, e deri më sot që kërkojmë nuk kemi asgjë. E përcolla si çdo ditë në orën 7 e gjysmë, deri në orën 12 është parë në markatë, nga të gjithë të afërmit, nga mamaja nga vëllai i tij. Mbas orës 12 ka ardhur momenti të vijë në shtëpi, i kanë thënë që iku Turi përpara erdhi djali jo i thashë, dhe aty nisëm kërkimet”, tregon Sofije Carja, nëna e Arturit.
Por hetimet për rrëmbimin e Arturit këtu në tregun e Elbasanit kanë qenë të vakëta për një kohë të gjatë derisa prokuroria e Elbasanit siguron emrin e një dëshmitari okular dhe që shiste qese si ai.
Aldo Sabriu i cili nuk ishte pyetur asnjë herë për 18 vite me radhë foli për herë të parë dhe tregoi identikitin e rrëmbyesit.
“Ishim të dy me Arturin dhe thërrisnim ‘Hajde qese” dhe në këto momente afrohet një burrë i moshës rreth 40 vjeç, i shëndoshë, i shkurtër, me mustaqe, me këmishë me kuadrate dhe për mua ky person duhet të ishte ushtarak pasi kishte radio si ato që mban policia dhe kishte një makinë të bardhë. Këtë person e kisha parë edhe herë tjetër. Atë ditë pasi i mbanim qeset unë dhe Arturi dhe i ai i mbushte me ushqime të ndryshme, ai na tha që ta ndihmonim ti çonim qeset me ushqime tek makina. Kur shkuam deri atje, ai nxori 1 mijë lekë dhe tha: A do vini me xhaxhin deri tek shtëpia të më ndihmoni me qeset. Unë i thashë nuk vij, Arturi u gënjye dhe iu përgjigj në rregull”-citohet dëshmitari në dokument.
“Kur ka vajtur denoncimi kanë thënë do presim dhe pak se është aventurë fëmijësh. Ku nuk kemi kërkuar në Greqi kam kërkuar”, u shpreh Jakup Caraj, i ati i Arturit.
“20 vjet që kërkojmë, edhe djali me ne. Të dali e vërteta si ka ndodhur. Qoftë edhe anonim. Të shoh djalin. Mendja shpirti është aty, plagë e kam, ulem ngrihem ku e kam djalin. Çfarë ka ndodhur. Vetëm Zotit të Madh i jam lutur”-u shpreh nëna e Arturit.
Me bindjen se është përballë një grupi kriminal që rrëmbente fëmijë për ti shfrytëzuar në vendet e BE-sëë për të lypur, prokuroria e Elbasanit ka vënë në lëvizje ministrinë e drejtësisë përmes një letër-porosie dhe kërkon të dhëna nga Greqia për çdo të dhënë për Artur Carjan dhe a ekziston apo jo një praktikë birësimi për të
Prokuroria e Elbasanit pranoi se ka identifikuar rrëmbyesin e fëmijës, por ai nuk mund të hetohet mbasi ka ndërruar jetë, por hetimet po vijojnë për gjetjen e Arturit që sot është 29-vjeç./Tch