Ndryshe nga fillimi i muajit dhjetor është ulur ndjeshëm numri i shtrimeve në spitalet Covid- 19, në vendin tonë. Edhe numri të infektuarve nga 800 mesatarisht çdo ditë ka rënë në rreth 400 gjatë javës së fundit, ndonëse numri të testuarve ka mbetur i njëjtë ose ka pasur një rritje të lehtë (2200-2300). Po ashtu janë raportuar më pak humbje jete.
Këto janë shifra optimiste që paraqet ky fund dhjetori, megjithatë shpresohet nga autoritetet, që kurba të vijë në ulje edhe gjatë javës së mbetur si dhe për janarit. Në një përllogaritje të një periudhe 1 javore, nga dita e shtunë e deri më sot reportohen 75 shtrime më pak në 4 spitalet Covid-19.
Sot në spitalin COVID-1, deri pasdite janë paraqitur 5 autoambulanca me pacientë. Në spitalin që ndodhet brenda ambjenteve të QSUT janë të shtruar 81 pacientë nga 120 që është kapaciteti. Në COVID-2 situata paraqitet edhe më e normalizuar, me 140 shtrime nga 250 në total. Në spitalin COVID-3 ka 110 pacientë të shtruar, në gjendje mesatare dhe të lehtë. Në spitalet rajonale, po trajtohen afro 170-180 pacientë, por me një gjendje më të qëndrueshme.
Sot jane kryer 1889 testime, 391 të shëruar, 375 raste të reja dhe 9 humbje jete nga COVID në vend! Sipas bilancit të ministrisë së Shëndetësisë sa i përket situatës së pandemisë për 24 orët e fundit, rezulton se kjo e shtunë ka shënuar një numër më të ulët të të infektuarve nga COVID-19.