Pas kualifikimit në çerekfinale, trajneri Ivan Gvozdenoviç u shpreh mjaft i kënaqur për “Panorama Sport”, por kërkoi të mos kalohet në eufori.
“Jo vetëm unë, por të gjithë tek Elbasani jemi të kënaqur për kualifikimin, sepse jemi brenda objektivit. Që në fillim klubi e ka pasur në objektivat e veta kupën. Strategjia me kundërsulm? Në pjesën e parë po, në të dytën jo. Në të dytën ishim më agresivë dhe bëmë presing lart. Kishim pak problem me lojtarët, sepse jemi pak të lodhur dhe kemi 3-4 të dëmtuar. Bëmë kujdes për mënyrën si do të shpenzonim energjitë. Jam shumë i kënaqur nga lojtarët që luajtën sot (dje) dhe nuk kishin marrë shumë minuta në kampionat. Të gjithë janë të gatshëm dhe fusha tregoi se stoli është shumë i rëndësishëm, kur kemi ndeshje çdo 3-4 ditë. Luajti Belloj një djalë shumë i talentuar. Kishim vetëm dy sulmues, Tsaguen dhe Lleshin, të tjerët janë të dëmtuar dhe këtu kemi pak problem të them të drejtën. Por klubi po vepron dhe shumë shpejt mund të firmosë me dy lojtarë të tjerë. Nuk dua të flas shumë, nuk dua eufori, sepse nuk kemi bërë asgjë. Jemi vetëm në çerekfinale të kupës dhe në vend të 5-të në kampionat, na duhet vetëm qetësi. Në fund ndoshta do të flasim më shumë”, tha Gvozdenoviç.
PANORAMASPORT.AL