Kryendeshja e javës. Tifozët duan festë. Fitorja është e domosdoshme

Të dielat këtë sezon janë kthyer në një ditë feste në Elbasan, teksa në çdo ndeshje që kanë zhvilluar verdheblutë në shtëpi kanë pasur një prezencë të kënaqshme të tifozëve.

Me Pogradecin duket se mbështetja do të arrijë kulmin, ku se paku priten pesë mijë të pranishëm në tribunat që do të jenë në mbështetje të skuadrës. Prej disa ditësh kanë nisur organizimet nga ana e tifozëve, të cilët po shkojnë derë më derë për të ftuar qytetarët të vijnë në stadium dhe të mbështesin skuadrën drejt rikthimit në Kategorinë e Parë. Një nismë kjo e tifogrupit “Tigrat Verdheblu”, të cilët e kanë mbështetur Elbasanin edhe në transferta, ndërsa në shtëpi me pogradecarët duan një përkrahje nga të gjithë qytetarët. Të njëjtën gjë ka bërë edhe klubi, duke bërë thirrje që të dielën në orën 13:00, më shumë se kurrë kanë nevojë për një stadium të mbushur, me synimin për ta kthyer në festë. Sakaq, klubi verdheblu do t’i nxjerrë në shitje biletat që ditën e sotme në pikën te stadiumi “Elbasan Arena”, ku dhe do të luhet sfida. Kujtojmë që AF Elbasani-Pogradeci është kryendeshja e javës për grupin B të Kategorisë së Dytë, për vetë faktin se skuadrat pozicionohen në krye me pikë të barabarta, me liqenorët që kanë golavarazh më të mirë.

ADMINISTRATORI Në klub përpiqen të jenë të kujdesshëm për ta konsideruar si një ndeshje radhe, duke i mëshuar vetëm faktit që duhen tri pikët. Të paktën, kështu ka deklaruar dje për “Panorama Sport” administratori Mariglen Çoku, i cili gjithsesi bën thirrje që tifozët të jenë sa më të shumtë në numër. “Është një ndeshje e rëndësishme, ashtu siç kanë qenë të gjitha në fakt gjatë këtij sezoni. Detyra e skuadrës është të sigurojë tri pikët dhe ta konsiderojë si një ndeshje normale, ku duhet marrë fitorja për të arritur objektivat. Si në çdo ndeshje, nuk mungon thirrja për tifozët, që të na mbështesin dhe kam besim se do të jenë të shumtë në numër”, u shpreh fillimisht Çoku. Më tej, ai motivon skuadrën edhe duke akorduar një premio speciale për skuadrën. “Ne, në të gjitha ndeshjet e rëndësishme kemi akorduar premio për ekipin dhe një e tillë nuk do të mungojë as për këtë takim. Madje, ajo do të jetë speciale”, deklaroi administratori i AF Elbasanit, por pa zbuluar shifrën.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL