Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Konkursin Ndërkombëtar për Projektin “Auto Moto Park Albania”, i cili do të ndërtohet në Krastë në Elbasan. Kreu i qeverisë tha se ky është një hap më pranë jetësimit të ëndrrës së cirkuitit të parë motosportiv sipas standardeve të FIA dhe FIM. Rama tha se ndërtimi i ‘Auto Moto Park Albania’ do të krijojë vende të reja pune dhe mundësi më të mira për gjeneratën e re. Rama u shpreh se edhe gjërat që dikur mund të dukeshin të pamundura, si përshembull të kishim një garë të ‘Formula 1’ në Shqipëri, tha se kjo gjë në të ardhmen mund të jetë e mundur.
‘Faleminderit në radhë të parë kompanive që marrin pjesë në këtë event historik për automotorizmin shqiptarë. Por, edhe për Shqipërinë, sepse falë ideve të tyre, projekteve të tyre ne do të përzgjedhim dhe projektin më të mirë, apo që ne do të na duket më i miri, për ti hapur rrugë një epoke të re. Një epoke të re për Elbasanin dhe për Shqipërinë. Për ta vendosur Shqipërinë në një tjetër hartë ku ajo mungon plotësisht. Për ti hapur Shqipërisë një tjetër derë, prej ku një tjetër kategori vizitorësh do të mund të hynë për të fuqizuar më tutje ekonominë tonë, për të fuqizuar më tutje imazhin tonë. Nga ana tjetër, ky projekt, i hap rrugë një tjetër frontit të punësimit cilësor të të rinjve. Jo thjesht vetëm vende punë, por vende pune të mirëpaguara. Teknologji e lartë. Padiskutim edhe mundësira të reja, horizonte të reja për gjeneratën e re. S’dua të zgjatem më shumë, dua të falenderoj Gonxhen dhe skuadrën që me frymëzim, pasion, me përkushtim vazhdon të udhëheq me forcën e shembullit, transferimin e punimeve publike në Shqipëri. Shërbimet e Transportit janë në krye të klasifikimit të shërbimeve tona dhe kjo falë këtij përkushtimi, kësaj përgjegjshmëria, këtij frymëzimi. Ky projekt nuk është një kërkesë në përshkrimin e punës së drejtorit të kësaj drejtorie, apo stafit të saj, por është një frut i atij frymëzimi për të cilin fola. Jam i bindur se duke bashkuar të gjitha forcat do ta realizojmë. Jam i bindur që siç shumë gjëra që na dukeni dje të pamundura, tani janë në rrugën që po bëhen të mundura. Edhe ajo çka do dukej krejtësisht e pamundur deri më sot, që në Shqipëri të kishim garë të formula 1, e ardhmja do të tregojë se edhe kjo është e mundur.’- u shpreh Rama.