Konferenca për 100-vjetorin e Bankës së Shqipërisë, guvernatori Sejko prezanton monedhën e re

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në konferencën shkencore të organizuar me rastin e 100-vjetorit të krijimit të bankës qendrore, ku pjesë ishte dhe kryeministri Edi Rama.

Sejko prezantoi edhe një monedhë të re simbolike, të prodhuar me rastin e 100 vjetorit.

Gjatë fjalës së tij, Sejko theksoi rëndësinë e këtij jubileu si një moment për të reflektuar mbi përpjekjet e punonjësve të Bankës së Shqipërisë dhe arritjet e saj gjatë një shekulli. Ai kujtoi vizionin e rilindasit Sami Frashëri për krijimin e institucioneve të afta që mbrojnë sovranitetin ekonomik, dhe theksoi sukseset e BSH-së në zhvillimin e tregjeve financiare, rritjen e besimit në monedhën vendase dhe përmirësimin e standardeve ekonomike të vendit.

“Për kremtimin e përvjetorit njëshekullor të bankingut qendror shqiptar, Banka e Shqipërisë ka emetuar monedhën përkujtimore pa kurs ligjor “100 vjet Banka e Shqipërisë, 1925-2025”.

Monedha simbolizon rëndësinë e institucionit të Bankës së Shqipërisë dhe përkujton ngjarjet kryesore që kanë shënuar zhvillimin e saj ndër vite.

Në shpinë, në të majtë qëndron portreti i një djali me veshje popullore të Shqipërisë së mesme, i konfiguruar në kartëmonedhën e parë të emetuar në vitin 1926 dhe në të djathtë, portreti i poetit dhe atdhetarit Asdreni i konfiguruar në kartëmonedhën 10000 Lekë, emetimi më i fundit i Bankës së Shqipërisë.

Ndërsa, në faqe, monedha paraqet logon e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë dhe përreth ravijëzohen data historike për bankingun qendror shqiptar.

Kjo vepër nderon kujtesën institucionale dhe frymëzon besim për të ardhmen“, u shpreh Sejko.

Top Channel