Komedia “Profesionisti” sukses në teatrin “Skampa”

 Në Teatrin “Skampa”, të Elbasanit, fundjavën që sapo kaloi është dhënë shfaqja “Profesionisti”, një vepër e Dushan Kovaçeviç me regjinë e të madhit Leka Bungo, e cila  argëtoi spektatorët artëdashës të teatrit.

 Në rolin kryesor interpretoi aktori brilant Viktor Zhusti si dhe aktorët Astrit Hasani, Artan Islami dhe Matilda Avduli.

  “Profesionisti” një komedi e trishtë, trajton një nga temat më të nxehta të shoqërisë siç është hapja e dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit, një dramë e madhe me ankthet dhe frikërat e së shkuarës, e sjellë në formën e një komedie.

Viktor Zhusti prezanton perzonazhin e një agjenti të sigurimit të shtetit, të një spiuni, të një njeriu që në dy sisteme të ndryshme ka kaluar drama. Personazhi i tij, Lluka, ka survejuar për 20 vite një shkrimtar. Pak para fundit të jetës, vendos që t’ia rrëfejë të gjitha dhe t’i sjellë të gjithë jetën e tij në një valixhe.

 Shfaqja është mirëpritur nga spektatorët elbasanas të cilët dhanë duartrokitje, duke marrë pas emocione dhe mendime reflektuese.