Në Teatrin “Skampa”, të Elbasanit, fundjavën që sapo kaloi është dhënë shfaqja “Profesionisti”, një vepër e Dushan Kovaçeviç me regjinë e të madhit Leka Bungo, e cila argëtoi spektatorët artëdashës të teatrit.
Në rolin kryesor interpretoi aktori brilant Viktor Zhusti si dhe aktorët Astrit Hasani, Artan Islami dhe Matilda Avduli.
“Profesionisti” një komedi e trishtë, trajton një nga temat më të nxehta të shoqërisë siç është hapja e dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit, një dramë e madhe me ankthet dhe frikërat e së shkuarës, e sjellë në formën e një komedie.
Viktor Zhusti prezanton perzonazhin e një agjenti të sigurimit të shtetit, të një spiuni, të një njeriu që në dy sisteme të ndryshme ka kaluar drama. Personazhi i tij, Lluka, ka survejuar për 20 vite një shkrimtar. Pak para fundit të jetës, vendos që t’ia rrëfejë të gjitha dhe t’i sjellë të gjithë jetën e tij në një valixhe.
Shfaqja është mirëpritur nga spektatorët elbasanas të cilët dhanë duartrokitje, duke marrë pas emocione dhe mendime reflektuese.


ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.