Kjo nuk pritej; Nuk fillon të hënën, merret vendimi për transportin publik

Transporti publik nuk fillon më 15 qershor, ditën e hënë, sikurse vendosi qeveria. Unioni i Shoqatave të Transportit Publik ka marrë sot vendimin dhe ka vendosur kusht ndaj qeverisë. “Sa kohë kemi këto kushte aktuale, të gjithë kompanitë në transportin publik, janë të paafta për të filluar këtë shërbim. Të gjithë operatorët e transportit publik mezi presin rifillimin e shërbimit. Nevoja për të operuar të gjitha subjekte e kanë shumë të madhe. Është e pamundur të respektohet ai protokoll që ne kemi marrë, nga mediat, në një mjet të transporti qytetas apo ndërqytetës.

Protokoll zyrtar nuk kemi marrë akoma. Një problem tjetër është edhe me faturinot sepse me atë protokoll, 75% e ngarkesës, do të jetë shumë e vështirë të operohet me faturino. Ditën e hënë nuk ka nisje të transportit publik, është vendimi i shoqatës për transportin qytetas e ndërqytetës në këto kushte është e pamundur. Nuk kemi mundësi financiare”, thanë ata.

Ata kërkojnë që transporti publik të jetë falas për udhëtarët gjatë pandemisë, por të subvencionohen nga shteti, subvencionim nga shteti për vendet bosh në mjete për shkak të pandemisë. Nëse kjo pikë nuk plotësohet, atëherë ata kërkojnë që 30% e kapacitetit që mbetet bosh të subvencionohet nga shteti. Ata kërkojnë më tej edhe heqjen e akcizës dhe taksave për karburantin, heqjen e TVSH-së së transportit gjatë vitit 2020 dhe në vitin 2021 TVSH-ja për transportin të shkojë 6%.