Këshilli Bashkiak i Elbasanit zhvilloi një mbledhje online për të diskutuar mbi situatën e shkaktuar nga Covid 19 dhe masat për menaxhimin e saj. Kryetari i Bashkisë informoi këshilltarët për masat e marra gjatë gjithë muajve Mars-Prill sidomos përsa i përket ndihmës ndaj familjeve në nevojë, asistencën e të moshuarve dhe masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë.
Organizatat kanë qenë një partner shumë i rëndësishëm i Bashkisë në asistencën ndaj familjeve nê nevojë gjatë kësaj periudhe. Tashmë, Këshilli miratoi edhe përdorimin e Fondit të Emergjencës për t’u ardhur në ndihmë këtyre familjeve.
Po ashtu, Fondi i Emergjencës do të përdoret për të dyfishuar ndihmën ekonomike për ato familje që e përfitojnë ndihmën ekonomike nga të ardhurat e bashkisë. Llatja garantoi se askush nuk do të jetë vetëm në këtë periudhë të vështirë dhe Bashkia do të mbështesë cilindo që ka nevojë.
Numri total i familjeve që përfitojnë dërgimin e produkteve ushqimore dhe jo ushqimore falas në shtëpi është 3818 nga të cilat 2478 në zonat rurale dhe 1340 në zonat urbane.