Këputet kabulli i tensionit të lartë, digjen pajisjet elektrike në Elbasan.

Rreth 100 familje në njësinë e Bradasheshit në Elbasan kanë shpëtuar mrekullisht nga tensioni i lartë. Një shkëputje e kabullit elektrik ka shkaktuar dëmtime të mëdha në banesat e tyre, duke i prishur pothuajse të gjitha pajisjet elektrike. Banorët u prononcuan për mediat ku thanë se është herë e tretë që ndodh kjo ngjarje dhe në asnjë moment shteti nuk ka marrë masa. Kabulli elektrik është shkëputur dhe ka rënë nëpër çatitë e banesave, por edhe në oborre.

“Hera e tretë që më ndodh. Si ka mundësi të shpërthejnë telat në një tension. Këtu është defekti gjithmonë. Si ka mundësi? Duhet të bëhet verifikimi çfarë na është dëmtuar nëpër shtëpi dhe të rregullohet. Janë përvëluar 3 shtyllëzime.”- tha një banor.

Një tjetër banor kërkoi që shteti të vërë dorë, ndryshe do të ketë pasoja fatale edhe në njerëz.

“Kemi një fatkeqësi që na ka ndodhur mbi 3 herë me tensionin e lartë që na shkakton dëme shumë të mëdha. Fatmirësisht s’ka pasur dëme në njerëz, por po të ishin jashtë fëmijë apo njeri do kishte njerëz në dëme. Na kanë shkrirë pajisjet të gjitha. Po të ishte njeri jashtë do ishte përvëluar. Ka qenë një hark shumë djegës që dogji gjithë telat. Thirrje dhe ju lutem shumë se është hera e tretë, të bëhet diçka. Na i kanë shkatërruar të gjitha, kjo ishte më fatale sepse nuk u shkarkua asnjë lloj stakimi i automatit. E mira është të merren masa sepse ndonjë nga ne mund të mbesë viktimë”- tha një banor.

Një tjetër banore kërkoi rimbursim të plotë nga shteti për dëmet e shkaktuara, ndryshim të linjës pasi ndihen të pasigurt.

“Plasën pajisjet sikur ra automatiku, aq shumë ra. Ka ndodhur 3 herë. Nëse shteti nuk na do të na vërë flakën dhe të na djegim. I duam të gjitha pajisjet e shtëpisë dhe të ndërrohet menjëherë linja. Është nxirë komplet. Ne në dorë të shtetit jemi.”- tha banorja.

OST dhe OSHEE ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për të zgjidhur këtë problematikë në Bradashesh.