Elbasani shpreson që përforcimet e fundit t’i vijnë në ndihmë për të arritur në “Final 4” në fund të edicionit. Një nga afrimet më të rëndësishme është ai i mbrojtësit lituanez, Sigitas Olberkis, i cili është edhe pjesë e përfaqësueses lituaneze.
Menjëherë ai ka dalë në stërvitje me elbasanasit, teksa rrëfen ekskluzivisht për “Panorama Sport” këtë aventurë të re në karrierën e tij. 27- vjeçari ka marrë informacione për Elbasanin dhe futbollin shqiptar para se të firmoste dhe i kënaqet pritjes që i kanë bërë.
Si një profesionist, edhe pse fizikisht është gati për të luajtur, e ndjen veten 100% gati kur të njohë edhe ambientin dhe mentalitetin. Ai pranon se frymëzohet nga dy prej mbrojtësve më të mirë të dekadës së fundit, Ramos dhe Humels.
Si e prisni aventurën e re në Elbasan?
Normalisht, pres që të fitoj sa më shumë ndeshje dhe të jem në formën maksimale. Të fitojmë diçka me klubin dhe në fund të sezonit, pse jo të jemi në Kupat e Europës.
Sa e njihni skuadrën dhe futbollin shqiptar?
E njoh goxha. Kam disa shokë nga Lituania që kanë luajtur në Shqipëri dhe kam folur me ta, duke marrë disa informacione. E shoh këtë si një mundësi shumë të mirë.
Si ju kanë pritur shokët e skuadrës?
Më kanë pritur vërtet shumë mirë, janë djem të mrekullueshëm. Mezi kam pritur të punoj me ta dhe të jap 100%-shin tim në stërvitje dhe më pas në fushën e lojës.
Nga cili lojtar frymëzoheni?
Eh, në fakt janë disa qendërmbrojtës. Mund të përmend ata që shoh shpesh, Serxho Ramos apo Mat Humels, edhe pse kanë futboll të ndryshëm. Normalisht nuk mund të bëjmë gjithçka që ata munden, por më pëlqen t’i shoh.
Ndeshjen e parë e keni me Teutën, çfarë synoni?
Ashtu si dua të jem gati për këtë ndeshje në fushë, dua dhe do të përpiqem të jem gati për të njohur vendin, ambientin, stadiumin dhe emocionet që përjetohen këtu. Pastaj mendoj se do të jem plotësisht gati.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL