Kalim i paligjshëm i kufirit, arrestohen dy shtetas nga Elbasani

Policia e Elbasanit në bashkëpunim me atë të Durrësit arrestuan sot dy shtetas, duke çuar në tre numrin e të arrestuarve në kuadër të operacionit policor të koduar “Premtimi”.

Policia bën të ditur se, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, pas informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit policor të koduar “Premtimi”, kanë bashkëpunuar me strukturat hetimore të DVP Durrës me qëllim kapjen e tyre.

“Pas shkëmbimit të informacionit, shërbimet e DVP Durrës bënë të mundur kapjen e shtetasve A. Ç., 21 vjeç, dhe D. H., 23 vjeç, të dy banues në Durrës, për të cilët Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim”, vijon njoftimi.

“Këta shtetas ishin shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Premtimi”, të zhvilluar nga DVP Elbasan në nëntor të vitit 2020, pasi së bashku me shtetasin E. Ç., i cili është arrestuar në flagrancë gjatë operacionit, po transportonin 12 emigrantë, nga Korça në drejtim të Shkodrës, kundrejt fitimit 100 euro për person, me qëllim kalimin në mënyrë të paligjshme të kufirit në drejtim të Malit të Zi”, theksohet në njoftim.

Policia informon se, gjatë operacionit në nëntor të vitit 2020, të dy shtetasit A. Ç. dhe D. H., braktisën mjetin në aksin rrugor Librazhd-Elbasan dhe mundën të largoheshin ndërsa shtetasi E. Ç. u arrestua në flagrancë.

Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.