Një tjetër situatë e rëndë është konstatuar përgjatë linjës ekzistuese hekurudhore Elbasan–Librazhd, ku një urë hekurudhore rezulton të jetë shembur thuajse totalisht.
Ngjarja është evidentuar dhjetëra metra në krah të aksit kombëtar Elbasan-Librazhd, në afërsi të urës së re automobilistike në hyrje të kthesave të Murrashit.
Zona ndodhet rreth 12 kilometra larg segmentit të dëmtuar në Dragostunjë, ku më herët u regjistrua shembja e një pjese të infrastrukturës hekurudhore.
hekurudha ura librazhdSipas pamjeve nga vendi i ngjarjes, struktura e urës është dëmtuar rëndë, ndërsa toka përreth saj ka pësuar çarje dhe rrëshqitje në disa pjesë, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi stabilitetin e terrenit.
Gjendja e krijuar paraqet potencialisht rrezik, veçanërisht nëse procesi i shembjes vijon ose përshkallëzohet për shkak të lëvizjeve të mëtejshme të tokës.

Deri në këto momente nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar nga institucionet përgjegjëse lidhur me situatën konkrete, masat e marra apo vlerësimin e riskut për zonën përreth.
Banorët dhe drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në këtë segment kërkojnë transparencë dhe reagim të menjëhershëm institucional, ndërsa situata në terren mbetet shqetësuese nga dëmtimet e shkaktuara gjatë kohës që kryhen punime për zgjerimin e rrugës që është pjesë e Korridorit Tetë.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.