Blogger-ja e njohur shqiptare, Megi Pojani zbuloi se ka momente që emocionohet aq shumë sa nuk i mban dot as lotët. Gjatë provave të “Dancing With the Stars”, në një klip të publikuar së fundmi, Megi u shpreh se në natën e parë të spektaklit ka pasur shumë emocione, pas klipit të saj prezantues.
Në videon e shkurtër që u shfaq gjatë mbrëmjes së “DWST”, u rikthyen disa momente të Megit kur ka qenë e vogël. Aktorja u shpreh se kjo ishte hera e parë që dëgjonte zërin e saj kur ka qenë e vogël, dhe në atë moment u emocionua shumë dhe iu mbushën sytë me lot.
“Kur kam qenë në skenë dhe dëgjoja zërin që shfaqej klipi që kam qenë e vogël, ishte hera e parë që dëgjoja zërin tim, kurrë nuk e kisha dëgjuar. Kanë qenë kasetat por asnjëherë se kisha dëgjuar.
Më janë mbushur sytë me lot dhe aty kam qenë me sytë me lot, në atë moment kisha kaq emocione sa dëgjoja edhe shoqërinë dhe motrat e mia që bërtisnin në skenë. Për mua ka qenë vërtet emocionuese”- u shpreh Megi.
Që në nisje të “Dancing With the Stars”, Megi Pojani dhe balerini i saj Jurgen Balaj treguan se kanë një raport mjaft të mirë. Gjatë një interviste për “Ftesë në 5”, balerini i Megi Pojanit u pyet për pikat e forta dhe të dobëta të aktores. Jurgeni u shpreh se Megi është shumë punëtore, duke këshilluar edhe konkurrentët e tjerë të “marrin shembull”.
“Është shumë punëtore dhe kjo është pika e saj më e fortë që është shumë e dëgjuar. Çfarëdolloj gjëje që i korrigjon ose i kritikon, ajo punon me orë të tëra, është gati për të punuar me orë të tëra”- u shpreh mes të tjerash balerini. Sa i përket pikës së dobët, ai fillimisht hezitoi, por më pas veçoi me humor “sensualitetin.”