Kryeministri Edi Rama ka bërë sot publike disa raste të cilat ka parë dhe është shokuar. Një e tillë ishte dhe rasti në QSUT, ku Rama theksoi se është shokuar kur ka parë, në fillim të detyrës, kushtet në të cilat punonin mjekët dhe instrumentet që kishin në dispozicion. Lidhur me këtë, ai tha se kishte ëndërr të transformonte QSUT, në të gjithë perimetrin e saj.
“Jam shokuar kur kam parë në momentet e para të fillimit të detyrës raportin mbi infeksionet, që shkaktoheshin edhe si rezultat i instrumenteve mjekësore në dispozicion. Çfarë kosto për shëndetin e njerëzve, për xhepin e familjeve, për spitalin, çfarë kosto morale edhe për vetë mjekët. Sot kemi një set instrumentesh dhe sterilizimi”, deklaroi kryeministri.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Ëndrra ime që në momentin e parë ka qenë që QSUT të transformohet në gjithë perimetrin e saj dhe sot Spitali i Kirurgjisë ka përfunduar, por QSUT është një kantier dhe mjafton rruga për të ardhur dhe për të hyrë deri këtu me ende shumë njerëz nëpër këmbë, gjë që nuk ndodh në spitalet normale, në vendet normale, për të kuptuar që është nevoja e një vazhdimësie në punë transformuese brenda ambienteve të spitalit, por edhe puna me gjithë pjesën e jashtme për të pasur më në fund një parkim, që do grumbullojë të gjitha mjetet në hyrje, dhe do e kthejë hapësirën brenda, në një hapësirë ku lëvizin vetëm ambulancat.
Nga ana tjetër, më vjen mirë ta përmend këtu atë që ju e dini, me gërshërët që nuk prisnin dhe instrumentet që sterilizoheshin me alkool. Edhe ky është një transformim i madh, që u bë i mundur falë modelit të mallkuar PPP.
Jam shumë i vetëdijshëm për faktin që shëndetësia nuk është thjesht dhe vetëm spitali kryesor apo ansambli kryesor i vendit, është një rrjet i tërë shërbimi për ta lehtësuar ansamblin kryesor, për t’i dhënë kësaj qendre mundësinë të merret me ato që i takojnë. Deri pak vite më parë këtu ishte edhe shërbim parësor, edhe urgjencë për të gjitha llojet e rasteve, për gjithçka. Lehtësimi i kësaj barre, përmes krijimit të gjithë sistemit rreth e rrotull, është pjesë e këtij procesi. Ne kemi vënë fokus të veçantë te mjeku i familjes, te rindërtimi i qendrave shëndetësore, te ripërtëritja e spitaleve rajonale, në mënyrë që t’i japim kësaj qendre mundësinë të merret me ato që i takojnë.
Përtej kësaj, dua të theksoj një element që besoj ka rëndësi të vecantë, që këto mjedise të reja, por edhe mjediset e spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme, do të ofrojnë më shumë mundësi për praktikën klinike të studentëve. Duke pasur sallën e dixhitalizuar të operacionit, që tashmë është në dispozicion të mjekëve dhe studentëve, do bëhet e mundur të transmetohen të gjithë sëmundjet klinike përmes kamerave në auditorët e studentëve. Pasja e mundësisë për të ndjekur direkt operacionet, në mënyrë dixhitale, ku mund të shihen si në film episodet e ndërhyrjeve të profesorëve të nderuar, është një pasuri e re e madhe e kësaj qendre, që forcon rrugën e dijes.
Ne nuk do të shkurtojmë asgjë, për shkak të emergjencës së tërmetit, pasi do duhet të adresojmë një nevojë kolosale për rindërtim. S’besoj të ketë një mjek të vetëm apo një infermiere të vetme, që do të ishte dakord që ne të ndërprisnim financimin për pajisjet mjekësore. Nëse sot kemi kapacitetin për të furnizuar me pajisje në salla operacionesh, është falë investimit të privatit. Privati investon para, që shteti nuk i ka në atë moment. Si mundet të ndërpritet ky program, kjo marrëveshje, ky proces. Kjo është një sfidë, ashtu si edhe mirëmbajtja.
Sa më shumë e njoh nga brenda sistemin shëndetësor, aq më shumë ndjehem keq, kur mjekët fyhen, baltosen, mbulohen me lloj-lloj sharjesh dhe etiketimesh nga një perceptim i ushqyer në vijimësi, si pasojë e kushteve të vështira. Po të shikosh sa shumë kanë mundur të bëjnë mjekët dhe sa keq janë shërbyer ata. Patjetër që nuk ka pyll pa derra, se një operacion i pasuksesshëm përbën lajm, po 60 mijë operacionet e suksesshme? Sfida jonë është që të vëmë në shërbim një sistem ku dija e mjekëve bën më të mirën.
Thyerja e atyre guackave të krijuara në vite, me lidhje nëntokësore, qoftë sa i përket furnizimit me barna apo aparatura, është sfidë. Te barnat kemi bërë progres të madh, por kemi nevojë sërish ta përforcojmë sistemin. Kemi ende mjekë që i drejtojnë pacientët te farmacitë private, ndërkohë që barnat i kanë në spital. Por ajo që duhet të bëjmë me aparaturat është domosdoshmëri.
Kishte një vërtetim që ju s’do ta besoni për të kërkuar një njeri të humbur jashtë shtetit. Personi që e kërkon duhet të paraqes kartën e identitetit të të humburit. Pra, nëse të humbet, larg qoftë, gruaja, siç i kishte humbur atij që ra tërmeti, duhet të kesh me vete pasaportën e të humburit. Pra, një mal me letra nga më të çuditshmet, që ne po i heqim. Bëmë shumë përpjekje me administratën, duke i thënë “shkurtoi”, sepse për këdo që ka një copë firmë e një copë letër është në pushtet.