Gripi i shpendëve në Shqipëri. Ministria e Bujqësisë njoftoi mbrëmjen e sotme se në vendin tonë janë zbuluar tre vatra të gripit të shpendëve, respektivisht në Fushë- Krujë, Dajt dhe Bujan. Ministria thekson se shërbimi Veterinar kreu eliminimin e shpendëve të prekur dhe të dyshimtë, si dhe mori masat për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.
“Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural po ndjek me vëmendje monitorimin e situatës epidemiologjike në popullatën e shpendëve në vendin tonë. Pas njoftimit të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve, për praninë e virusit të Gripit të shpendëve në disa vende të rajonit dhe më gjerë, me urdhër të ministres Milva Ekonomi u hartua një plan masash mbrojtëse.
Së pari, u bë ndalimi i hyrjes të shpendëve në territorin e vendit tonë nga vendet që kanë konfirmuar praninë e sëmundjes. Pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural është ngritur Qendra Kombëtare e Krizës për drejtimin dhe koordinimin e planit të veprimit. Pas analizimit të mostrave nga rastet e dyshimta në shpendë të oborrit, në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), është konfirmuar prania e Gripit të shpendëve (Influenca Aviare) të tipit H5N8.
Sëmundja është e pranishme vetëm në 3 vatra, që ndodhen respektivisht në Njësinë Administrative Fushë- Krujë, në Njësinë Admistrative Dajt dhe në Njësinë Administrative Bujan. Shërbimi Veterinar kreu eliminimin e shpendëve të prekur dhe të dyshimtë, si dhe mori masat për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes” thuhet në njoftim.