Ishin të pranishëm në vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, jepet vendimi për 8 policët

Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Elbasan dhe Korçë, në bashkëpunim me prokurorinë Elbasan kanë ekzekutuar 8 masa sigurie për punonjës policie të cilët kanë qenë në ngjarjen e vrasjes së Pjerin Xhuvanit me 21 prill 2021.

Burimet bëjnë me dije se 2 policë janë lënë me arrest shtëpie, ndërsa 6 të tjerë me pezullim nga detyra.

Mbi ta rëndon akuza e “shpërdorimit të detyrës”, pasi dyshohet se kanë dhënë deklarim të rremë.

Pritet njoftim zyrtar nga AMP lidhur me rastin.

Si ndodhi vrasja e Pjerin Xhuvanit:

Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, mbeti i vrarë në 21 prill të vitit 2021 pas një përplasje me armë ku u përfshinë disa persona. Nga përplasja mbetën të plagosur katër të tjerë – Eltjon Bodinaku 32 vjeç, Emiljan Prenga, 39 vjeç, Pavlo Vuksani 50 vjeç – një prej të cilëve punonjësja e policisë Xhensila Sota 27 vjeçe.

Rreth një orë pas përplasjes me armë në polici u dorëzua Arbër Paplekaj, ish-oficer i Repartit të Neutralizimit të Elementëve të Armatosur (RENEA). Sipas informacioneve të rrjedhura për mediat Paplekaj ka ngritur pretendimin se e ka kryer vrasjen në kushtet e vetëmbrojtjes.

Sekretari i PD-së Gazment Bardhi i cili gjithashtu ishte i pranishëm tha se ngjarja kishte ndodhur si përshkallëzim i një përpjekje për të ndaluar “një rast shit-blerjeje votash” ku përfshihej “një grup kriminal të mbështetura nga PS”. Bardhi tha se struktura e PD-së për “Mbrojtjen e Votës” kishte marrë sinjalizime se një person i quajtur Met Dafllaku po mblidhte karta identiteti dhe po shpërndante para.