Wednesday , March 12 2025

Ish-trajneri Suta: Elbasani kthen qetësinë kundër Bylisit

Elbasani ndodhet në një situatë të vështirë pas humbjes së fundit ndaj Egnatias, duke venitur përfundimisht edhe ato pak shpresa që kishte për “Final 4”. Ajo që e bën më shqetësuese situatën, janë rezultatet e javëve të fundit, duke bërë që verdheblutë të kalojnë një krizë.

Gjithsesi, tani nga skuadra kërkohet reagim dhe të marrë maksimumin e mundshëm ndaj Bylisit, kundërshtarit të kësaj jave në transfertë. Duket se ekipi e ka lënë pas humbjen e fundit dhe Gvozdenoviç po përpiqet që të shohë përpara. Shpresohet që të ketë edhe një grup sa më të plotë në dispozicion, me rikthimin e Hakajt dhe të Hasanit që kanë bërë disa javë stop.

ISH-TRAJNERI – Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-trajneri i Elbasanit, Anxhelo Suta, pohon se kjo sfidë është vendimtare, për të mos vënë ekipin në “sikletet” e mbijetesës, duke parë edhe kalendarin që ka në vijim. Ai vlerëson frymën pozitive që Gvozdenoviç ka sjellë në skuadër dhe vetëm trajneri mund ta nxjerrë nga kjo situatë.

“Duke parë eçurinë e javëve të fundit, ndeshja me Bylisin kthehet në vendimtare për Elbasanin. Kanë treguar se dinë të ringrihen atëherë kur duhet dhe tani është momenti ta bëjnë. Përpos rezultateve që nuk kanë, unë shoh që Gvozdenoviç ka sjellë një harmoni në skuadër dhe vetëm ai mund ta nxjerrë nga kjo situatë në këto momente. Kam besim se ndaj Bylisit do të marrin tri pikët dhe do t’i rikthejnë në njëfarë mënyre qetësinë”, u shpreh fillimisht Suta.

Në vijim, ai pohoi se përpos zonës së rrezikut që vjen nga poshtë, me kontigjentin që ka, nuk e sheh Elbasanin të rrezikojë. “Vërtet me ‘Final 4’ duket një histori e mbyllur, por nuk shoh një skuadër që të rrezikojë mbijetesën. E them këtë duke parë kontigjentin që kanë në dispozicion. Megjithatë, kujdesi duhet të jetë gjithnjë prezent, sepse në vijim kanë edhe një kalendar të vështirë”, sqaroi më tej Suta.

Në fund, ai ndalet edhe tek Kupa, aty ku mund t’i shkojë deri në fund. “Kupa ka një specifikë që, nëse shtrëngohesh fort, mund t’i shkosh deri në fund. Me ndeshjen e parë që ka bërë në Elbasan me Vllazninë, dha prova se i ka kualitetet për ta kaluar. Normalisht nuk do të jetë e lehtë, por mundësitë i kanë dhe duhet ta tentojnë deri në fund”, mbylli prononcimin e tij për gazetën ish-trajneri i Elbasanit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL