Ish-trajneri flet para përballjes, Dosti: Dinamo nuk është më ajo e vitit të shkuar, Elbasani ka hedhur baza

Në një moment ku Elbasani po konfirmon stabilitet dhe ambicie në elitën e futbollit shqiptar, zërat me eksperiencë mbeten gjithmonë referencë. Muharrem Dosti, ish-trajner dhe ish-portier i njohur i verdhebluve, analizon për “Panorama Sport” me qetësi dhe realizëm ecurinë e skuadrës, duke u ndalur tek prova e fundit ndaj Egnatias, sfida e radhës me Dinamon dhe qasja e klubit në merkato.

Një lexim i ftohtë i situatës, mes besimit për të tashmen dhe hapjes së derës për objektiva më të mëdhenj. Nga analiza e performancave në fushë, te pritshmëritë për sfidat e radhës dhe deri te strategjia e klubit jashtë saj, Dosti e sheh Elbasanin si një ekip që ka hedhur baza të forta për një sezon dinjitoz, me potencial për të kërkuar edhe më shumë nëse ruan ekuilibrat aktualë.

EGNATIA – Fillimisht, Muharrem Dosti ndalet te ndeshja e kaluar me Egnatian, të cilën verdheblutë e mbyllën në barazim 2-2. Ai vlerëson pikën e marrë përballë kampionëve në fuqi, por thekson se Elbasani kishte mundësi ta menaxhonte më mirë avantazhin e dyfishtë. “Të jem realist, duke parë sesi shkoi ndeshja, të vjen keq që u mbyll në barazim. Të jesh në avantazh të dy golave dhe më pas të barazohesh, normalisht lë shije të hidhur. Megjithatë, duhet thënë se luajtëm kundër Egnatias dhe jo më kot është kampione në fuqi dhe kryesuese e kampionatit. Gjithsesi, loja mund të administrohej më mirë. Ka edhe episode që e vendosin ndeshjen dhe ndoshta, po të kishim qenë pak më të kujdesshëm, mund të dilnim me tri pikë. Sa i përket polemikave me gjykimin, nuk dua të hyj në një fushë për të cilën nuk jam kompetent”, u shpreh Dosti.

DINAMO – Sa i përket përballjes së radhës me Dinamon, Dosti beson se Elbasani ka të gjitha mundësitë për të marrë maksimumin. Sipas tij, kundërshtari nuk është më ai ekip i sezonit të kaluar, me të cilin verdheblutë hasën vështirësi. “Mendoj se me rivalët e ‘Final 4’, në tërësi, Elbasani ka zhvilluar ndeshje të mira dhe rezultatet nuk kanë munguar. Nuk është Dinamo e vitit të kaluar, ka pasur shumë largime, ndryshe nga Elbasani që ka ruajtur më shumë kompaktësinë. E kam thënë edhe më herët që ‘Final 4’ e kemi të padiskutueshme, por ndoshta tani duhet të fillojmë të mendojmë edhe për më lart”, thekson ishportieri.

MERKATO – Në fund, Dosti ndalet edhe te merkatoja e janarit, e cila ka qenë e vakët në kampin verdheblu. Ai e sheh këtë si një strategji të klubit për të mos prishur ekuilibrat e një grupi që deri tani ka funksionuar mirë. “Mendoj se grupi është i mirë dhe ndoshta është zgjedhja e duhur që të mos bëhen shumë ndërhyrje. Ndonjëherë, kur bën shumë lëvizje, prishet edhe grupi, sidomos kur kjo ndodh në janar. Më mirë pak afrime, por që të jenë rezultative. Kam lexuar dhe dëgjuar se përflitet për dy lojtarë të huaj që mund të afrohen, mbetet për t’u parë. Sidoqoftë, shpresat për një kampionat dinjitoz ekipi i ka te grupi aktual”, e mbylli prononcimin e tij për “Panorama Sport” Muharrem Dosti.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL