Intensifikohen kontrollet për Erjon Llapushin, policia ndoqi dy automjete por…

Policia e Elbasanit u është vendosur pasditen e djeshme në ndjekje dy makinave “Porsche” dhe “Audi” në unazën e qytetit. Një burim konfirmoi se efektivët kishin informacion se në njërën nga dy makinat po lëvizte i kërkuari nga drejtësia Erjon Llapushi. Ky I fundit goditi shefin e shërbimit të një kompleksi në Elbasan pak ditë më parë, i cili më pas ndërroi jetë në spital.

Me gjithë praninë e shumtë të policisë dhe kontrollin e mjeteve, rezultoi se në asnjë prej tyre nuk ndodhej i kërkuari Erjon Llapushi.

Ngjarja

Në fillim të muajit tetor, Erjon Llapushi shkoi së bashku me një tjetër person në kompleksin në dalje të qytetit të Elbasanit, në aksin në drejtim të Librazhdit.

Shefi i shërbimit të restorantit, Gazment Kurmaku i kërkoi që të ngrihej nga tavolina ku ishte ulur, pasi ishte e rezervuar dhe të ulej në një tjetër, por Erjon Llapushi nuk pranoi. Situata u agravua dhe Erjon Llapushi e goditi Kurmakun, i cili përfundoi në spital në gjendje të rëndë dhe disa ditë më pas vdiq në spitalin e Traumës në Tiranë./ Abcnews.