Inovacion rajonal në Elbasan: prezantohen gjetjet e para të projektit CRM

Qendra Rajonale e Inovacionit e Institutit Evropian të Teknologjisë dhe Inovacionit për Lëndët e Para EIT RawMaterials në Universitetin e Elbasanit, zhvilloi punëtorinë e parë rajonale në kuadër të implementimit të projektit “Enhancement of Regional Collaboration in Critical Raw Materials (CRM) and Circular Economy in the Balkans”.

Ky aktivitet shënon prezantimin e parë publik të gjetjeve paraprake të projektit dhe synon forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në fushat e identifikimit të burimeve dytësore të CRM, përpunimit të mbetjeve industriale dhe zhvillimit të mëtejshëm të ekonomisë rrethore në rajon.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Rektorja e Universitetit, Prof. Dr. Elvira Fetahu, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit akademik dhe angazhimin e universitetit në projekte që nxisin kërkimin shkencor, inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit. Ajo nënvizoi se shkëmbimi i përvojave dhe ideve ndërkombëtare sjell rezultate më të prekshme për të rinjtë dhe për zhvillimin rajonal.

Ekspertët rajonalë prezantuan gjetjet paraprake të projektit dhe modelin e fizibilitetit, ndërsa sesioni i dytë u fokusua te angazhimi i të rinjve në start-up-e, riciklim dhe iniciativa inovative që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.