Një nga gazetarët e njohur, redaktor i suplementit letrar në gazetën Mapo, Mark Simoni, tregon përvojën e tij në spitalin Shefqet Ndroqi. Ai gjendet atje prej gati një muaji në trajtim, dhe për fat të mirë, gjendja është përmirësuar. Marku, një shkrimtar po ashtu, nuk qendron dot indiferent nga debati që është në media, për kushtet, atmosferën dhe punën e stafit mjekësor atje. Përkundër raportimeve, sidomos pas dy rasteve të vetvrásjes, Marku ka një vlerësim për profesionalizmin dhe përkushtimin e doktorëve dhe infermierëve.
“Jam në qëndër te ciklonit të sëmundjes në pikat më të errta të saj, atje ku dhemb dhe frikëson cdo gjë, jam në institucionin “Shefqet Ndroqi”, bash aty ku ështe mbledhur një staf i shkëlqyer shërbimi, që mbron dhe rikthen në jetë tërë këto njerëz të dënuar nga fati i infeksionit dhe të bekuar nga tërë këta mjek e infermierë humanë, të ditur, të apasionuar, serioz dhe këmbëngulës. Ndodhem në qëndër të këtyre rrethanave dhe e ndjej punën titanike, kujdesin prej misionarësh.
Në këtë institucion, pikërisht stafi që shpëton jetë njerëzish, pra ky staf, është tamam si rrjeta e cirkut poshtë trupit të lojtarit, kjo rrjetë që i jep siguri, e mbron dhe nuk e lë të bjerë poshtë.
Dua të përmend, drejtorin, Prof. Dr. Perlat Kapisyzi që ndërthur në mënyrë më harmonike, më humane dhe profesionale akademizmin e epërm dhe komunikimin e thjeshtë me pacientët, psikoterapine dhe gjendjet që i sëmuri i ka të domosdoshme për të qënë në gjëndje të mirë psikologjike, zotëron me korrektësi thellësinë profesionale dhe njohjen e gjërë të të gjitha situatave që kanë të bëjnë me COVID dhe rrethanat e tij.
Dr. Alma Teferiçi, një mjeke me vullnet të jashtëzakonshëm, për të shpjeguar deri në detaje racionale dhe analitike, krejt si matematikë mjekësore, që lidh të gjitha rrethanat e sëmundjes dhe e orienton si mjekimin ashtu dhe pacientin në rrugën më eficente.
Dr. Arben Tanka, mjek i ditur dhe human, i kujdesshëm dhe me ambiciet më të mira pozitive për t`ia dalë çdo vështirësie që i shfaqet përpara. I vëmendshëm e i përkushtuar deri ne ekstrem.
Të gjithë janë këtu pranë nesh, në të njëjtën kështjellë vuajtje por dhe suksesi, të rreshtuar si skalion misionaresh.
Doktoresha e apasionuar, Kloedina Bratja, Emiljada Terpo, Esmeralda Muça, Alma Gjini, Elda Brahja, Blerina Memaga, katër infermierët e mrekullueshëm: Blerimi, Donaldi, Albani, Tani, si dhe Kozeta, Elvira, Flutura , Majlinda, Viola, Aneada, Zinete, Ina, Ornela, Geri, Mona, Pavlina.
Unë jam vetë këtu, krejt në qëndër të sëmundjes dhe punës titanike, dhe e ndjej në tërë qënien, në lëkurën e hallit, dhe asgjë nuk na bën dot të shohim realitete të deformuara”, shprehet Simoni, në këtë dëshmi për gazetën Mapo.