I konfirmuar zyrtarisht si kandidat i PS/ Llatja: Do ecim përpara për të ndryshuar Elbasanin

I konfirmuar zyrtarisht si kandidat i PS për të rikandiduar në një mandat të dytë në Bashkinë Elbasan në zgjedhjet e 14 Majit, kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja ka zhvilluar një bashkëbisedim me gra dhe vajza punëtore të lagjjes “Skënderbej”. Qëllimi i këtij takimi ka qenë për të folur mbi punën e madhe që është bërë në Elbasan e për kontributin e zonjave dhe vajzave që japin çdo ditë pa u lodhur. I shoqëruar nga deputeti Florenc Spaho, kryetarja e PS Ermira Uruçi kreu i Bashkisë ka vlerësuar rolin dhe kontributin që jep gruaja jo vetëm në familje, por edhe në administrata publike e private, në shoqëri e kudo.

Duke u ndalur tek punët që janë kryer gjatë këtij katër vjecari në përfundim z. Llatja pohoi se “kemi për detyrë të bëjmë punë dhe e kemi bërë, kemi ndërhyrë në infrastrukturë aty ku kishte 30 vite e më shumë që nuk ishte kryer asnjë investim, dhe kjo falë menxhimit të të ardhurave publike, pasi puna e një kryetari bashkie është të mirëmenaxhojë”.

Z. Llatja e vuri theksin tek investimet e kryera në tërësi në Elbasan, dhe jo vetëm në rrugë. “Kemi investuar në sport, në arsim, në kulturë e turizëm, hapësirave të gjelbërta, etj. Ne po përpiqemi t’i japim Elbasanit një ngjyrë tjetër, duke investuar në lagjen “Kala”, në Gjinarin turistik, në Llixha dhe në infrastrukturën e Treganit, si edhe në bashkëpunim me BE po investojmë edhe në Funar”.

 Llatja u ndal edhe tek projektet e mëdha që po realizohen në bashkinë Elbasan, që sipas tij “me mbështetjen e kryeministrit jemi duke realizuar projektin më të madh në Elbasan, Auto Moto Parkun, pasi qëllimi ynë është të sjellim ekonominë në qytet”, pasi sipas tij “nëse nuk kemi një ekonomi të shëndetshme dhe të fortë, nëse nuk kemi të ardhura që na vijnë nëpërmjet turizmit, atëherë po këtu do mbetemi tek kjo ekonomia jonë qarkulluese”.

 Duke u ndalur tek investimet e kryera në këto 4 vite Llatja përmendi rikonstruksionin e 6 shkollave, misioni i madh për rregullimin e të gjitha qendrave shëndetësore në qytet dhe fshat, të spitalit të Elbasanit, po nis rikonstruksioni total i Poliklinikës së Specialiteteve. “Do të rregullojmë të gjitha strukturat tona të shëndetësisë, pasi jemi një qytet i cili ka nevojë për shumëcka, ndaj kemi nisur një plan të përbashkët”, tha Llatja.

Ai ndër të tjera shtoi se ” ky plan konsiston edhe në përmirësimin e banesave të përbashkëta  kryesisht tek zona e kryqëzimit të Cerrikut duke i ndërtuar edhe me sistem  kapot dhe termoizolim, ky është qëllimi ynë, përmirësimi i cilësisë së jetesës së qytetarëve  të Elbasanit”. Në përfundim kryetari i Bashkisë z. Llatja i cili rikandidon për një mandat të dytë shtoi se “opozita e cila do ta kthejë Elbasanin në vitet 1992 apo 1993 nuk besoj se e kanë vendin këtu, pasi Elbasani po vazhdon, po ecën përpara, jemi në rrugë të mbarë duke i parë frytet dita ditës, po përmirësohet qyteti, zonat rurale, dhe realisht po e shohim bashkinë e Elbasanit në funksion të qytetarëve”.

Edhe deputeti Florenc Spaho, si edhe kryetarja e PS në Elbasan Ermira Uruci ftuan zonjat dhe vajzat e kësaj lagjeje të mbështesin kryetarin e Bashkisë në këto zgjedhje.