Gazetarja Rudina Xhunga ka ndarë me lexuesit e saj një historinë rrëqethëse të në gruaje, e cila e vetme po rriste tre fëmijët e saj, dy biologjikë dhe një të birësuar, pasi i shoqi i ishte ndarë nga jeta në moshën 36 vjeçare…
Nga Rudina Xhunga/ Sot njoha Milenën, një zonjë me të zeza, nga ato që nëse nuk do e takoja, do kisha humbur shumë. Milena do më mbesë gjatë në mendje, jo pse më bëri të qaj, po se më bëri të mendoj. Është mbushur jeta jonë me skema e skena patetike, që po na trajtojnë si pacientë telenovelash.
Milena që do ju tregoj është tjetër gjë. Ishte ajo vajza e re, brisk nga goja që takoi Gentin disa vite më parë dhe ra në dashuri. Po për të shkuar më tej, kishte një kusht;
“Unë martohem, nëse i japim fjalën njëri- tjetrit, që një ditë pavarësisht se do të kemi fëmijë, do birësojmë një vajzë të vogël”. Genti nuk u çudit fare, me kërkesën e grua së ardhshme, se qëlloi që e kishte edhe vetë, me qejf shumë. U martuan dhe bënë një vajzë. Ndërsa bukuroshja po rritej, mami Milena ishte gati për djalin. Sakaq nisën edhe procedurat e kujdestarisë për Lean, një vogëlushe e Shtëpisë së Foshnjës.
Milena mbante na bark të birin dhe trajnohej si nënë kujdestare për Lean që do të vinte. Ditën që shkoi të sillte në jetë djalin, Genti nuk erdhi dot. Ai nuk erdhi dot asnjëherë. Sepse e la zemra, në moshën 36-vjeçare. Nuk ia doli t’i mbijetojë atakut.
Nuk e njohu të birin. Milena doli nga materniteti me djalin ne krah, vajzën përdore, vetëm, pa babin. Por premtimi që i kishin dhënë Leas ishte premtim jete. Të tre bashkë shkuan dhe e morën.
Dhe bashkë të katërt jetojnë përditshmërinë, duke të edukuar me jetën që ka humbje, përkohshmëri, dhe idenë se e vetmja që s’vdes kurrë është dashuria për tjetrin. Milena erdhi për të ndarë historinë e saj, në një takim të Ogerta Manastirliut, që synon të nxisë birësimin dhe kujdestarinë për jetimët. Një takim ndryshe, për fëmijet si gjithë fëmijët.
Aty e takova Milenën. Iu luta ta tregonte historinë e saj , për të gjithë, por nuk donte. Nuk jam heroinë tha, jam nënë. Epo unë nuk mundesha, të mos e ndaja, sepse Milena nuk është thjesht nënë, është grua nga ato që shohim e nuk ndalojmë t’i njohim në vrapin tonë gjithë frikëra e dilema, gjithë ankthe për fëmijët tanë, shëndetin, arsimimin, dhe të ardhmen e këtij vendi , ku po i rrisim.
Milena ka ankthet e saj, por nuk i bërtet. Ai portret i dashur dhe i mençur, u ngrit ngadalë drejt skenës dhe tregoi si rrit Lean me dy fëmijët e saj, si një fëmijë te tretë. Sado që kjo të zgjasë thotë Milena, sepse ajo e di mirë se asgjë nuk zgjat përgjithmonë, por aq sa zgjat, të mundesh ta mbushësh me dashuri.Nga ato që nënat kanë.
Ndaj kjo fushatë birësimi i drejtohet kryesisht nënave, dhe unë shkova e dhashë një dorë, siç do e bëj sa herë të më ftojnë, sepse jam një nënë që dua t’u flas nënave të tjera që nuk kanë fëmijë, me fjalët e një fëmije të birësuar: “Mua , mami nuk më bëri nga barku, më bëri nga zemra”.
Zonja, paçi zemër të madhe dhe lindshi fëmijë nga zemra!