Historia rrëqethëse e djalit nga Elbasani/ Juli përlot publikun dhe moderatoren me rrëfimin: Babai donte të më zhdukte, nënën ma mori Covid-i

Historia e Juli Zyrakja, djali nga Elbasani ishte një rrëfim që i la të gjithë me lot në sy. Ai lindi me epilepsi, dhe sëmundja u bë shkak që i ati jo vetëm ta mohonte, por ta braktiste.

Juli rrëfeu në “Ftesë në 5”, madje tha se në atë kohë fëmijët me të tilla probleme kërkonin t’i zhduknin dhe po të njëjtën gjë donte të bënte dhe i ati.

Ai tregoi më tej peripecitë e fëmijërisë, bullizmin dhe dhunën barbare nga shokët e fillores që i thyenin syzet, i grisnin librat e madje e gjuanin dhe me gurë.

Mirëpo momenti më i dhimbshëm për të ishte vdekja e së ëmës, e cila nuk mundi të fitonte luftën me Covid-in.

“I druhesha shumë mamit natën. Zgjohesha, i jepja mëngjesin dhe kisha një kujdes special për të, vetëm ma mori covidi. Covidi hyri fshurazi në shtëpinë time. Ne ishim vaksinuar, ajo me dy doza Phizer, kurse unë me dy doza SinoVac. Covid-i më mori njeriun më të dashur të zemrës”, tha i prekur ai, ndërsa as Bieta s’ mundi t’i mbante lotët.

Sot Juli jeton vetëm dhe vendosi që pas shumë vitesh shkëputje të nisë gjimnazin. Ai tregoi se studion deri në orët e vona të mbrëmjes. E ndërsa dëshira e tij më e madhe është të krijojë një familje.