Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe në kuadër të hetimit proaktiv për një shtetas që merrej me shpërndarje të drogave të forta, në qytetin e Elbasanit, u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Zaranika”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
Xh. D., 43 vjeç, banues në Elbasan. Ky shtetas ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Dhuna në familje”. Gjithashtu ka qenë i dënuar më parë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 525 gramë lëndë të dyshuar narkotike heroinë dhe 2 aparate celuare. Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të impikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.