Një grua vietnameze 58 vjeçe përfundoi me kriza në spital, ku mjekët zbuluan se ishte infektuar me krimba parazitarë. Ato ishin krijuar në trupin e saj, pasi hëngri një ushqim tradicional vietnamez “Tiet canh”.
Tiết canh është një pjatë vietnameze, puding gjaku të papërpunuar që shërbehet me mish të gatuar në Vietnamin Verior. Derri dhe rosa janë kafsha më e zakonshme që përdoret për të krijuar këtë puding gjaku të papërpunuar. Më i popullarizuari është tiết canh vịt, i bërë nga gjaku i rosës së sapo vrarë dhe mishi i rosës.
58-vjeçarja, nga komuna An Binh në periferi të Hanoi, vuante nga dhimbje koke të forta dhe u rrëzua disa herë në shtëpinë e saj, pasi përgatiti vetë këtë ushqim.
Ajo u dërgua në spitalin Dang Van Ngu, ku u zbulua se kishte krimba parazitarë që gëlonin nën lëkurën e saj, në krahët dhe këmbët, madje kishin bërë fole edhe në trurin e saj.
Zëvendës drejtori i spitalit, Dr Tran Huy Tho, ka thënë për mediat lokale se stafi mjekësor, fillimisht mendoi se simptomat e gruas ishin shkaktuar nga një goditje në tru.
Megjithatë, pasi iu nënshtrua një skanimi, u zbulua se ajo vuante nga një infektim i parazitëve në trupin e saj.
Që atëherë ajo ka dalë nga spitali dhe tani po merr kurën për të shpëtuar nga ky infektim. Për mediat lokale gruaja u shpreh se ha këtë ushqim “puding gjaku”, një herë në muaj.
“Mendova se nëse e bëja vetë pudingun, do të ishte i pastër dhe do të isha e sigurt duke ditur se nuk do të kishte asnjë sëmundje”, u shpreh ajo.
Dr Tho konfirmoi se gruaja u infektua me krimba nga pudingu i gjakut të papërpunuar dhe se gjendja e saj mund të ishte shumë më e rëndë.
Nëse simptomat e saj do të liheshin të pakontrolluara, gruaja mund të kishte përfunduar e paralizuar ose mund të kishte humbur dhe jetën.
“Shumë njerëz madje besojnë se vuajnë nga konvulsione, goditje në tru dhe kushte të tjera të shëndetit mendor, kështu që ata trajtohen në spitalet psikiatrike për vite me radhë. Në kohën kur ata shkojnë në spitalin Dang Van Ngu, kushtet e tyre tashmë kanë përparuar dhe parazitët tashmë kanë dëmtuar trurin e tyre, duke i detyruar ata të jetojnë me kushte të përjetshme si shikimi i reduktuar”, u shpreh Dr Tho.
Top Channel