Gratë dhe vajzat e Bashkisë Elbasan aktivitet sensibilizues kundër kancerit të gjirit

Vajzat dhe zonjat në administratën e Bashkisë së Elbasanit i janë bashkuar fushatës sensibilizuese për luftën kundër kancerit të gjirit, në kuadër të tetorit rozë, muajit kushtuar luftës ndaj kancerit të gjirit.

Në oborrin e institucionit të Bashkisë, ky aktivitet u shoqërua me broshura informuese nga organizatorët e Bashkisë së Elbasanit, si edhe me simbolin unik të kësaj fushate, fjongon rozë, me mesazhet e shumta të kujdesit ndaj vetes dhe diagnostifikimit në kohë të kësaj sëmundjeje.

Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, nënkryetaret Vesa Llanaj dhe Aulona Bylykbashi, i bënë thirrje të gjithë grave dhe vajzave të kryejnë kontrolle periodike shëndetësore për të parandaluar një rrezik që mund t’iu shfaqet, pasi pa grua nuk ka të ardhme, dhe egzaminimi në kohë shpëton jetën.

Nga ana e tij kryebashkiaku bëri edhe një herë me dije se “ çdo grua që do të kryejë mamografinë, jo vetëm gjatë muajit tetor por në çdo periudhë të vitit, mund  ta kryejë atë jo vetëm në qendrat shëndetësore , por edhe në pikat mamografike të lëvizshme që janë vendosur edhe në qytetin e Elbasanit.  Duke i kërkuar në veçanti zonjave të administratës që ai drejton që nëse do të dëshironin, do ta mundësonte këtë diagnostifikim edhe në ambjentet e bashkisë nëpërmjet mamografisë së lëvizshme, me qëllim parandalimin në kohë të kancerit të gjirit.  Tetori Rozë, është muaji i solidaritetit dhe ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. “ Sot më shumë se kurrë” .