Një ndërtesë e vjetër në lagjen kala të Elbasanit e ndërtuar para viteve 1900 u përfshi nga flakët duke rrezikuar dhe banesa të tjera.
Ndonëse prej vitesh ajo ka shërbyer si një institucion arsimor, kohët e fundit për shkak të braktisjes ishte kthyer në një vatër të personave që konsumojnë lëndë narkotike.
Kjo situatë ka sjellë frikë tek të moshuarit e lagjes kala të Elbasanit. Ata shprehen se “mungesa e ndriçimit në rrugica si dhe mos patrullimi i shpeshtë i efektivëve të policisë ka bërë që shumë të rinj banesat e rrënuara ti kthejnë në vatra të përdorimit të lëndëve narkotike”.
Nga ana tjetër Gjyqtarja në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, Suela Lika, shprehet se në vitin 2024 janë regjistruar për shqyrtim, një numër i lartë i çështjeve penale të cilat lidhen me veprat penale të fushës narkotike.
“Në gjykim ka një rritje e numrit të çështjeve të gjykuara përsa i përket fushës së lëndëve narkotike”, tha Lika.
Deri më tani ende nuk dihet se cili mund të ketë qenë shkaku kryesor i zjarrit që përfshiu godinën në lagjen Kala në Elbasan, por nga komunikata zyrtare e policisë mendohet të jetë aksidentale, ndërsa banorët e lagjes kala fajësojnë konsumuesit e lëndëve narkotike që pakujdesia e tyre solli dhe djegien e godinës.
/rtsh.al/