Viti i ri shkollor 2022 – 2023 ka nisur edhe në qytetin e Elbasanit, ku më të emocionuarit kanë qenë të vegjëlit që nisin klasën e parë, si edhe gjimnazistët, të cilët kanë lënë bankat e shkollës 9 – vjeçare, për të kaluar në të Mesmen.
Në bashkinë e Elbasanit në klasën e parë këtë vit janë ulur për herë të parë 1100 nxënës, ndërsa në vitet e para rreth 900.
Kryetari i bashkisë Gledian Llatja, ka uruar në këtë ditë, nxënësit, por edhe mësuesit “suksese të gjithë mësuesve, punë të mbarë në këtë vit të ri arsimor. Elbasani e ka treguar ndër shekuj që është qyteti i arsimit, ndaj do të vazhdojmë të jemi pararojë në këtë drejtim”.
Një urim të veçantë kryebashkiaku ka bërë për të gjithë të vegjlit që nisin për herë të parë rrugën e dijes.
“Për të gjithë fëmijët që nisin për herë të parë shkollën, festën e parë të dijes. I uroj suksese, pasi fillon një fazë e re jete për ta. Ndaj i uroj që vitet e jetës shkollore t’i japin dritën e jetës, t’i mësojnë mirësinë dhe drejtësinë”, tha Llatja.
Në juridiksionin e bashkisë Elbasan janë rreth 132 godina të institucioneve arsimore parauniversitare nga të cilat 8 janë shkolla të Mesme të përgjithshme, 8 janë shkolla të Mesme të Bashkuara, 99 shkolla 9-të vjeçare dhe 17 kopshte të shpërndara në 12 njësitë administrative të kësaj bashkie.