Gledian Llatja: 113 vjet Kongresi i Elbasanit, tradita e arsimit vazhdon          

113 vjet më parë, nga data 2-9 shtator 1909, në qytetin e Elbasanit u zhvillua një ngjarje e shënuar në historinë e arsimit, shkollës e kulturës shqiptare, që në histori njihet si “Kongresi i Elbasanit” apo “Kongresi i shkollave shqipe”, ku morën pjesë 35 përfaqësues nga 28 klube e shoqëri patriotike, brenda e jashtë territorit shqiptar. Në memorie të këtij eventi të shënuar për qytetin tonë ka përshëndetur edhe kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja i cili e vuri theksin tek mbajtja e këtij kongresi që sipas tij  jo rastësisht u mbajt në Elbasan, si qyteti i njohur për traditat patriotike, arsimore, e kulturore dhe me figura të spikatura të Riilindjes Kombëtare. 

“Sot, pas 113 vitesh jemi mbledhur për të kujtuar një aktivitet të rëndësishëm mbarëkombëtar, një ngjarje të shënuar të historisë së arsimit, shkollës e kulturës shqiptare. 

35 përfaqësuesit e zgjedhur për të përfaqësuar mbarë shqiptarët, nga të gjitha qytetet e tyre përmblodhën në 15 pika vendimet e këtij kongresi, që do të ishin një rregullator për  arsimin, gjuhën e kulturën e vendit tonë, por njëherazi një lajmëtar i rëndësishëm i një ndryshimi të madh dhe paralajmërues i një periudhë të ndritur në arsim, që do ta sillte pak muaj më vonë  “Shkolla Normale”, ku dialekti i Elbasanit, flitet sot në shumë treva, pikërisht nga kjo shkollë.  

Delegatë nga Shkupi, Përmeti, Gjirokastra, Dibra, Pogradeci, Manastiri, Filati etj, bënë rrugë të gjatë për të ardhur deri në Elbasan për punimet e Kongresit të Elbasanit. Delegatët u mirëpritën përzemërsht nga populli elbasanas. Edhe pse kishte emra si Lef Nosi, Taq Buda, Ahmed Dakli, Emin Haxhiandemi, Dërvish Biçaku etj, që u morën drejtpërdrejtë me punimet e Kongresit, qytetarët nuk u distancuan nga mirëpritja e përfaqësuesve dhe organizimi sa më mirë i këtij Kongresi.

Elbasani e deshi Kongresin, e deshi arsimin, por edhe Shqipëria e deshi Elbasanin, gjuhën dhe kulturën e qytetit tonë. 

Në vendimin e 11-të të këtij Kongresi u vendos: “Dialekti i Elbasanit,  ku kongresi i lutet të gjithë autorëve shqiptarë që të botojnë libra dhe tekste në gjuhën shqipe dhe të përdorin dialektin e Elbasanit. Ky vendim ishte tregues se dialekti i Elbasanit ishte e folura më e saktë e më afërt, e cila bashkonte dialektin gegë e toskë.

Kongresi i Elbasanit do të jetë gjithmonë pjesë e ndritur e historisë, si vetë periudha e Rilindjes Kombëtare përgjatë së cilës u mbajt. Do të jetë një ngjarje që sa herë e kujtojmë do të na tregojë se sa të lidhur jemi me gjuhën tonë, me arsimin e kulturën dhe sa mirënjohje kemi ndaj atyre që sakrifikuan dhe bënë të mundur që ne t’i gëzonim të treja këto”. Duke vlerësuar punimet e Kongresit të Elbasanit, z. Llatja shprehu mirënjohjen për të gjithë ata figura të zgjuar dhe te ditur, të cilët sipas kryebashkiakut  ” zgjodhën pikërisht qytetin tone për ngritjen e një shkolle kombëtare për mësues, dhe misioni i Normales tashmë ka mbetur ne kujtesë të shumëkujt e në analet e historisë së arsimit e kulturës shqiptare. Në nderim të të gjithë figurave të dritura të arsimit ne së fundmi kemi hapur Muzeun e Arsimit në shkollën ° Luigj Gurakuqi° në qytetin tonë. 

Respekt edhe qindra e qindra mësuesëve që ia kushtuan jetën arsimit e kulturës në këtë qytet.

 Sot Elbasani vazhdon të ruajë traditën shekullore në fushën e arsimit dhe të kulturës, ku rreshtohet ndër më të rëndësishmit përsa i përket arsimit universitar e shtrirjes së arsimit të mesëm në qytet e fshat.  Kjo përvojë i ka rrënjët e saj tek patriotët elbasanas, që për kohën që jetuan, ishin në pararojë të saj dhe hodhën themelet e arsimit kombëtar. 

Ndjehem i nderuar që në këtë ditë përkujtojmë e nderojmë këta figura që i dhanë qytetit e Shqipërisë më të mirën e patriotizmit të tyre arsimin, gjuhën amtare dhe kulturën kombëtare”. Në këtë event kanë kumtuar rreth 113 vjet Kongresi i Elbasanit, Kryetari i Bashkise Gledian Llatja, Ministria e Arsimit Evis Kushi, deputeti si edhe drejtuesi politik i Elbasanit  Damian Gjiknuri si edhe akademikë.