Seriali i parë dhe i shumëpritur i Ermal Mamaqit, i titulluar “H.O.T” (Humans of Tirana) do të nisë transmetimin me datë 24 Tetor në Tv Klan. Një ndër aktoret e serialit është Megi Pojani, e cila ka zbuluar së fundmi rolin e saj. Personazhi i saj quhet Xheni dhe pritet të ngjallë shumë reagime.
Megi është ndalur dhe te një skenë intime me Danin (luajtur nga Ermal Mamaqi). Ajo është shprehur se ka qenë një ndër skenat më të rehatshme që ka xhiruar.
“Unë jam Xheni. Xheni është yll e bukur, shumë e mirë, si unë, prandaj po e them. Mendoj se Xheni është një ndër personazhet më komplekse të këtij seriali. Më pëlqen shumë që më është besuar ky personazh sepse e di që do jetë personazh që ngjall shumë reagime, por fsheh shumë gjëra brenda që do zbulohen me kalimin e kohës. Kanë qenë xhirime shumë të mërzitshme…bëj shaka! Në fakt kanë qenë gjithmonë xhirimet shumë interesante, nuk jemi lodhur asnjëherë edhe pse kanë zgjatur me orë të tëra. Kemi kaluar shumë mirë. Nëse do më duhet të specifikoj një skenë, unë jam shumë keq me memorien, por ajo që unë mbaj mend, ndoshta dhe nga sikleti, ka qenë një skenë intime me Danin. Zakonisht në xhirime të tjera ka qenë nxitimi ta mbarojmë, ta mbarojmë, ndërsa te ajo skenë nuk kishte stop, duhet të shkonim deri në fund “all in”. Ka qenë një nga skenat më të vë…të vështira nuk do thoja, sepse ka qenë një ndër skenat më të rehatshme për t’u xhiruar. Ishim kaq komodë. U mblodhëm kaq shumë veta brenda aty te dhoma, duket si intime, por në fakt ishin dhe nja pesë veta që rrinin aty mbrapa të pasmeve të mia”, ka treguar Megi.
Kujtojmë se seriali ka si producentë Ermalin dhe Dritan Huqin, ndërsa si autorë Klaudia Brahimajn dhe Bjord Mezinin. “H.O.T” ka bërë bashkë emra shumë të njohur për publikun si Jonida Vokshi, Ermal Mamaqi, Irgen Çela, Megi Pojani, Klea Huta, Inis Gjoni, Kastriot Çaushi, Ana Lika, Gëzim Rudi, Amos Zaharia, Erblin Bajko dhe Monika Lubonja.