Sunday , December 4 2022

Gjiknuri thekson tre investimeve prioritare të qeverisë. Bypass-i i Elbasanit do të përfundojë brenda…

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut Elbasan, ka treguar tre prej investimeve prioritare të qeverisë socialiste në këtë qytet.

Në një intervistë televizive, Gjiknuri theksoi se byppas-i i Elbasanit është projekti i ardhshëm i qeverisë shqiptare që do të përfundojë brenda këtij mandati.

“Byppas-i i Elbasanit apo unaza e qytetit, është projekti i ardhshëm i qeverisë shqiptare. Është gjë që është duke u bërë studimi i plotë dhe është një nga angazhimet që ne do ta marrim përsipër në këtë 4-vjeçar ta përfundojmë. Ajo do të zgjidhë shumë probleme. Së pari, do t’i japë, siç dihet, jetë Korridorit 8 që është një korridor shumë i rëndësishëm dhe që nuk i vlen vetëm Elbasanit, por i vlen dhe lidhjes me kufirin me Maqedoninë dhe me Greqinë. Së dyti, do të shmangë trafikun nga qendra e Elbasanit. Por do të krijojë mundësi dhe për zhvillimin e gjithë industrive”, tha Gjiknuri.

Ai shtoi se “në perspesktivë jam i bindur se dhe hekurudha do të jetë hapi tjetër pasi të përfundojë hekurudha Tiranë-Durrës dhe ajo e Vorës me Hanin e Hotit, projekti tjetër do të jetë me Elbasanin”.

“Njëkohësisht një investim shumë i mirë do të jetë “Lungofiume”, ajo që quhet shëtitorja në breg të lumit, përfshirë dhe parkun e madh, automotoparkun, që dhe ai do të jetë jo vetëm një ambient argëtues, por dhe një qendër që do të gjenerojë punësim, të ardhura, interes për Elbasanin”, nënvizoi Gjiknuri.atsh

Advertisement