Gjiknuri në Elbasan: Elbasani nuk është foltore e Sali Berishës, por i investimeve të përditshme në çdo cep të bashkisë

Bashkia Elbasan vijon investimet në infrastrukturë, si në qytet edhe në fshat. Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me Kryetarin e Bashkisë Elbasan Gledian Llatja dhe deputeten Desantila Tahiraj inspektuan punimet për rehabilitimin e rrugës në fshatin e madh Gjonme të njësisë administrative Gjergjan.

Damian Gjiknuri, që është njëherësh dhe drejtues politik i qarkut, siguroi për mbështetjen e Bashkisë Elbasan dhe vijimin e investimeve në qytet dhe në fshat.

“Kjo rrugë ka qenë kërkesë e juaja që të bëhet, ndaj më vjen mirë që kryetari i Bashkisë e ka filluar këtë punë dhe do ta mbarojë shumë shpejt. Gledi ka treguar një kujdes të veçantë duke barazuar investimet si në qytet ashtu edhe në fshat, pasi fshati ka edhe më shumë nevoja. Qeveria qendrore do të ndihmojë më shumë Bashkinë e Elbasanit. Bashkia ka në plan edhe rrugë të tilla pasi janë konsultuar edhe me komunitetin, dhe shumë shpejt kjo rrugë do të përfundojë ashtu si shumë fshatra të tjerë të Elbasanit që ndryshimi duket. Qeveria e Edi Ramës do të mbështesë Bashkinë e Elbasanit me projekte të mëdha, ndërsa kryetari juaj i bashkisë me taksat e qytetarëve do të ndërhyje në çdo fshat të Elbasanit, hap pas hapi”, tha Gjiknuri.

Numri dy i socialistëve u shpreh se Elbasani nuk është foltore e Sali Berishës, por e investimeve nga qyteti deri në fshat. “Qytetarët e Elbasanit e kanë kuptuar që këtu ka një investim të përditshëm, ka një kujdes nga kryetari i bashkisë, por mbi të gjitha Gledi nuk është vetë, ai është përfaqësuesi i Edi Ramës. Ne nuk e ndryshojmë dot Elbasanin pa pasur mbështetjen e qeverisë. Ne nuk duam ta kemi Elbasanin bunker politik i Sali Berishës. Sepse mëkëmbësi i tij do ta kthejë Elbasanin në foltore të Sali Berishës. Elbasani nuk është për foltore, Elbasani ka qenë foltore për arsimin, për gjëra të mëdha, por nuk është për beteja politike të Sali Berishës. Oferta jonë nëpërmjet Gledit është çdo vit ndërhyrje në çdo cep të bashkisë së Elbasanit, qoftë në qytet edhe në fshat për ta ndryshuar infrastrukturën e zonës”, u shprhe ai.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja u shpreh se investimet janë në rrugë të mbarë për të zgjidhur problematikat 30-vjeçare në fshat dhe në qytet. Llatja nënvizoi se opozita kujtohet vetëm për zgjedhje, duke mos e ngritur zërin në gjithë këto vite. Ai falenderoi banorët e fshatit Gjonme për besimin që i kanë dhënë, ndërsa premtoi se investimet do të vijojnë.

Nga ana e saj, deputetja Desantila Tahiraj deklaroi se Bashkia Elbasan vijon punën për të përmirësuar jetesën e qytetarëve. “Ne jemi një ekip të cilët funksionojmë të gjithë bashkë për të bërë më të mirën për të gjithë ju që banoni këtu. Qeveria “Rama” ka investuar vit pas viti, si në qytet, por tashmë edhe në zonat rurale”, tha ajo.

Kjo rrugë me një gjatësi rreth 450 metra, ishte një kërkesë e vetë banorëve të zonës gjatë procesit të “Buxhetimit me Pjesëmarrje”, dhe tashmë punimet vijojnë me shtrimin e asfaltit dhe më pas me ndriçimin.