Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri dhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja zhvilluan një takim me banorë të fshatit Shushicë, një nga fshatrat më të afërt me qytetin, por me projektet e mëdha si Automotoparku dhe By Pass i Elbasanit, shndërrohet në një nga lagjet e qytetit.
Kryetari i Bashkisë z. Llatja përmendi disa nga investimet e kryera në Shushicë, ndërsa shtoi se ura mbi Shkumbin që lidh Byshekun me automotoparkun do të japë një impakt të menjëhershëm duke atë në një lagje të qytetit. “Rregulluam dhe sistemuam rrugët, hapëm rrugët e arave, i kushtuam një vëmendje të veçantë mbrojtjes nga lumi Shkumbin. Filluam fillimisht me rrugën e varrezave dhe ate një pjesë së lagjes së vjetër të Shushicës së vjetër, vazhduam me rrugën e rezervave, pastaj me rrugën e pazarit dhe do vazhdojmë normalisht sepse ne nuk i kemi mbaruar punët. Shushica është një nga ato fshatrat që ka një perspektivë shumë të madhe. Ne po bëjmë bypassin e Elbasanit, ne jemi në fazën e detajuar të projektimit të tij, me ndihmën e qeverisë. Me urën e Byshekut, Shushica do të bëhet një lagje e Elbasanit. Një gjë e kemi të sigurtë, perspektiva ekonomike është kyçi i zhvillimit të qytetit, i zhvillimit të fshatit, i zhvillimit të Elbasanit”, theksoi Llatja.
Numri dy i socialistëve deklaroi se për realizimin e këtyre projekteve të rëndësishme me impakt të drejtpërdrejtë zhvillimi, nevojitet mbështetja e fortë e qeverisë, për t’i çuar përpara dhe vizioni i Gledit për t’i formësuar ato.
“Binomi bashki – qeveri duhet të na lidhë shumë mirë në zgjedhjet e 14 Majit. Prandaj edhe në këto zgjedhje, më 14 Maj, ne kemi mundësi që me votën për Gledin, të votojmë Gledin si kryetar bashkie, por votojmë dhe të gjithë ekipin e Partisë Socialiste me në krye Edi Ramën, sepse nuk jemi të shkëputur. Ata tremben nga fjala ekip. Kur flas unë thonë pse përmend fjalën ekip, pse se merr si garë individi. Aty nuk po zihen dy lojtarë në ring, kush këndon më mirë apo kush reciton më mirë. Jo! Konkurrojnë ekipi politik, filozofia, e kaluara jote dhe e ardhmja që ti premton. Gledi e ka treguar me punët e tij. Premtimi i Gledit nuk është vetëm premtimi i Gledit, është premtimi i të gjithë këtij ekipi politik”, deklaroi ai.
Gjiknuri u ndal dhe në alternativën përballë, të cilën e cilësoi një kandidaturë humbëse. “Krahu tjetër çfarë përfaqëson dhe si vjen? -Kam qenë kryetar i Partisë Demokratike për nja dhjetë vjet. Po çfarë ke bërë? S’ka bërë asgjë në fakt. Ka bërë ca politika kuadri. Ju e dini shumë mirë si bëheshin politikat e kuadrit në atë kohë. E dyta, çfarë organizate përfaqëson dhe kush është ekipi yt? Jam vetëm unë thotë, jam profesor! A për profesor, shko në Universitet! Kush është ekipi yt? Sali Berisha dhe Ilir Meta. S’do ta thotë ai. Përfaqësia që ai ka këtu, delegimi i tij =nuk ka asnjë alternativë për Elbasanin”, u shpreh Gjiknuri.
Drejtuesi politik i qarkut u kërkoi banorëve të Shushicës të denoncojnë çdo abuzim nga ana e administratës dhe masat do të jenë të menjëhershme. Gjiknuri theksoi se rritja e pagave do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e pensioneve.
Deputetja Desantila Tahiraj tha se kryebashkiaku Llatja meriton mbështetjen maksimale për angazhimin që ka treguar në Shushicë dhe kudo.
“Sa herë ka zgjedhje ne me njëri-tjetrin bëjmë një bilanc. Bilancin e çfarë kemi premtuar dhe çfarë kemi mbajtur. Në këto 4 vite me Gledin në krye të bashkisë, për hir të së vërtetës për fshatin Shushicë, që është edhe fshati më i madh i kësaj njësie administrative ku jeton 1/3 e popullatës, Gledi i ka mbajtur premtimet. Ka mbajtur premtime për të shtruar rrugë më asfalt dhe janë shtruar tre rrugë të mëdha që ju e keni kërkuar gjithmonë edhe në buxhetimin me pjesëmarrje por edhe për garën elektorale të 2021. Ne jemi sot këtu për të bërë një kontratë dhe një marrëveshje me ju, që në zgjedhjet e 14 majit të votojmë maksimalisht për PS dhe Gledian” përfundoi Tahiraj.