Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri shprehu bindjen se e majta do të fitojë sërish bashkinë e Elbasanit në zgjedhjet e 14 majit 2023.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, Gjiknuri deklaroi se mazhoranca do të ofrojë një kandidat që pëlqehet dhe nga qytetarët dhe që ka provuar se di të punojë për qytetin.
“Unë kam bërë konsultimet e nevojshme sa i përket bashkisë së Elbasanit. Llatja ka bërë një punë shumë të mirë dhe ka një pëlqyeshmëri nga qytetarët, madje në disa sondazhe që kemi zhvilluar e nxjerrin atë goxha të avantazhuar. Megjithatë ka akoma kohë deri në ditën e votimit për rezultatin, por unë jam i bindur që në Elbasan, PS do të fitojë jo vetëm për faktin që Llatja është një qytetar i mirë i Elbasanit, një djalë i ri që përfaqëson një politikë të re karshi politikës tjetër”, tha Gjiknuri.
Gjiknuri nënvizoi se kandidatura e ofruar nga opozita, Luçiano Boçi nuk përfaqëson asgjë.
Ai theksoi se Boçi ka 20 vjet që qarkullon në politikë dhe se ka treguar që di vetëm të humbasë, sikurse në zgjedhjet e vitit 2007.
“Boçi nuk përfaqëson ndonjë gjë të re. Boçi ka qenë kryetar i Partisë Demokratike, ka qenë ish-pushtetar, është një figurë mbi 20 vjet që qarkullon në politikën e Elbasanit madje ka humbur zgjedhjet në vitin 2007 kur PD ishte në qeveri. Bashkia e Elbasanit ishte e kontrolluar nga PD dhe humbi zgjedhjet. Mendoj se qytetarët e Elbasanit do të votojnë një qytetar të tyre, një djalë që di të punojë, por mbi të gjitha që ka dhe qeverinë shqiptare nga prapa për sa i përket mbështetjes, investimeve të mëdha transformuese që po ndodhin në Elbasan, projekte që qytetarët i prekin”, tha ai.
Gjiknuri theksoi se më shumë se politika e luftës së Tiranës, qytetarëve të Elbasanit iu intereson mirëqeverisja e qytetit.
“Jo për ta kthyer Elbasanin në një lloj bunkeri politik të Berishës për qëllime të tjera politike. Elbasanllinjtë janë popull i mençur, i heshtur, dinë t’i vlerësojnë këto gjëra, nuk e kanë qejf dukjen dhe mendoj që dallimin do ta bëjnë qartë në mendjen e tyre. Qëllimi ynë është të komunikojmë me ta dhe t’u themi çfarë është më mirë për qytetin e Elbasanit, investime, stabilitetin ekonomik dhe të ardhmen e Elbasanit”, deklaroi Gjiknuri