Sekretari i Përgjitshëm i PS Damian Gjiknuri së bashku me Kryetarin e Bashkisë Elbasan Gledian Llatja dhe me deputeten Desantila Tahiraj zhvilluan një bashkëbisedim me banorë të fshatit Kuqan, fokusi i të cilit ishte zhvillimi ekonomik që ka marrë zona fushore e Elbasanit pas investimit në unazën bujqësore.
Gjiknuri që është dhe drejtues politik i qarkut, deklaroi se investimi madhor i qeverisë nuk do të kishte qenë i mundur pa një bashkëpunim shumë të mirë me Bashkinë e Elbasanit, e cila është garanti që projektet të zbatohen me korrektësi dhe shërbimi të shkojë tek qytetari.
“Në fakt këtu nuk është thjesht zgjedhja e një individi për të ardhmen e Elbasanit. Këtu është zgjedhja e një koncepti, e një filozofie zhvillimi për të gjitha ato që ju keni shqetësim dhe keni nevojë për të ardhmen. U përmend një fakt këtu që vetëm nga ndryshimi i rrugës, nga ky investim i bërë nga qeveria shqiptare këtu pati një hov ekonomik në bujqësi. Kjo është e vërteta. Dhe kërkesa sa vjen e do shtohet.
Po si u bë kjo? Dua ta lidh edhe binomin qeveri – bashki. Bashkia në vetëvete sado mirë të administrohet me taksat e qytetarëve të Elbasanit e ka të vështirë të adresojë të gjitha nevojat që ka për infrastrukturë fshati dhe qyteti. Kjo është e vërteta. Kjo rrugë u bë nga qeveria shqiptare. Projektet i çoi bashkia, financimi i qeverisë shqiptare. Roli i Gledit është të mirëadministrojë taksat lokale, të bëjë projekte të mira për t’u mbështetur nga qeveria dhe ato taksa lokale që ka bashkia ti çojë aty ku është më e nevojshme”, deklaroi Gjiknuri.
Numri dy i socialistëve vlerësoi kryebashkiakun Llatja si administrator të shkëlqyer të punëve të Bashkisë duke qëndruar pranë nevojave të komunitetit. “Gledi ka ditur ta balancojë nevojën e fshatit me të qytetit. Më përpara vëmendja dhe shqetësimi ka qenë që gjithçka do shkojë në qytet se aty janë shumica e votave, se politikanët mendojnë ku kanë votat aty edhe do të çojnë dhe më shumë investime.
Unë jam dëshmitar vetë, Gledi ka ditur të balancojë paratë e taksapaguesve duke investuar shumë në fshat. Në rrugë, në ndërhyrje në kanalizime, në gjëra që kanë të bëjnë me infrastrukturën e fshatit. Kjo është meritë”, tha Gjiknuri.
Gjiknuri theksoi se elbasanllinjtë e dinë mjaft mirë që alternativa tjetër përballë synon ta kthejë Elbasanin në bunker për interesa të “martesës” së re Berisha – Meta. Drejtuesi politik i qarkut siguroi se Gledi me mbështetjen dhe të kryeministrit Rama do të vijojë punën dhe me shumë projekte të tjera për transformimin e Elbasanit.
“Kundërshtari politik Luçiano Boçi nuk është një figurë e re. Ai ka qenë kryetar i Partisë Demokratike të Elbasanit. Ka kandiduar për kryetar bashkie në 2007-ën dhe ka humbur. Tashmë e kanë ricikluar për ta sjellë prap në drejtim të bashkisë së Elbasanit. Por njerëzit e dinë se çfarë bëhej në atë kohë. Pra kush qe, çfarë drejtimi politik bëri ai në bashki kur qeveriste Sali Berisha edhe Ilir Meta se bashkë ishin. Atëherë pse duhet ta votojmë ne prapë? Për koicidencë, merreni si të doni, janë po këta dy njerëz. Këta janë pronarët, padronët e vërtetë. Xhagai i vërtetë i këtij njeriu në terren është Ilir Meta me Sali Berishën. Ai është përfaqësues i këtyre këtu. Po shih çfarë thotë ai xhagai i madh bashkë me Ilir Metën, ne thotë sa të marrim bashkitë, ne duam të përmbysim qeverinë. Bashkitë do kthehen në bunker politik për të promovuar revolucionin e Saliut. Kjo është e vërteta. Prandaj elbasanllinjtë janë para një zgjedhje ta kthejnë Elbasanin në bunker për interesa të “martesës” së re Berisha – Meta apo të shikojnë projektet e zhvillimit? Me projektet që ka nisur Gledi me mbështetjen e Edi Ramës dhe me projekte të tjera që do vijnë”, vijoi Gjiknuri.
Më tej ai u ndal në investimet e mëdha të cilat kanë nisur tashmë në Elbasan dhe pritet t’i japin një hov zhvillimit të mëtejshëm ekonomik.
“Patjetër që projektet e mëdha si “Bypass-i” këtu do të sjellë më shumë zhvillim. Sidomos për ju që do doni lidhje më të mira për tregjet, për eksportet, për ardhjen e furnitorëve të ndryshëm për të blerë mallin tuaj këtu. Kjo patjetër do krijojë mundësi më të mira.
“Bypass-i” shumë shpejt do të fillojë nga puna dhe kjo do të jetë një avantazh shumë më i madh për njësinë tuaj. Mos kini garanci thjesht te një njeri, kini garanci te një ekip, te një organizatë. Gledi nuk është vetëm. Jam dhe unë, është dhe Dasantila është gjithë ky ekip. Çojeni votën e këshillit te Partia Socialiste. Pse? Ky s’duhet të rrijë peng i negociatave me një njeri. Ky duhet të ketë vendimmarrjen e pastër, mbështetjen e këshillit bashkiak me qëllim që projektet që thotë ti çojë përpaa” përfundoi Gjiknuri.
Kryebashkiaku Llatja vuri në dukje rëndësinë që bashkia i ka dhënë bashkëqeverisjes me qytetarët duke i bërë ata pjesë të vendimmarrjes, siç është “Buxhetimi me Pjesëmarrje”. Llatja renditi disa nga investimet e bëra në fshat ku unaza bujqësore ndikoi drejtpërdrejt në ekonomitë e tyre familjare.
“Kemi ardhur kemi diskutuar për problemet, për hallet që kemi pasur, këtu u bë një nga investimet më të mëdha që ju na e kërkonit. Ju më thonit se këtu kemi një potencial shumë të madh ekonomik, kemi fushën e Elbasanit, kemi të gjithë potencialin ta bëjmë sera, kur ishim tek unaza bujqësore. Dhe realisht unaza bujqësore ishte një investim shumë i mirë i joni, i qeverisë shqiptare. Filluam paralelisht me rrugën e varrezave të shumë fshatrave tonë. Filluam me një sërë investimesh të tjera kabllat ABC, vendosja e sistemit të linjave, diku kemi filluar ujësjellësat, diku kemi akoma për të bërë për ndërhyrje. Kemi hapur kanale kulluese dhe vaditëse”, tha Llatja, duke kërkuar që para se të vendosin, banorët e Kuqanit të krahasojë alternativat që kanë përballë.
“Këtu bëhet dallimi ndërmjet nesh dhe atyre. Çfarë kanë bërë për Elbasanin këto në të gjithë këto vite në politikë? Të dalë ndonjë dhe të thotë ka bërë një rrugë, ka bërë një shkollë, apo ka kërkuar meqë nuk e paska pasur bashkinë vetë, ka kërkuar në bashki apo në Këshill Bashkiak të bëjë një gjë. Fare, zero!” shtoi Llatja.
Kryetari i Bashkisë shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë PS-së fshati Kuqan. Ai u shpreh i bindur se banorët e këtyre zonave do të dinë të vendosin sërish. “Dua t’ju kërkoj një mbështetje të fortë edhe për veten për të qenë përsëri bashkë edhe këto katër vite, por edhe për PS të shqipërisë dhe Këshillin Bashkiak tonin” përfundoi fjalën e tij Llatja.
Deputetja Desantila Tahiraj po ashtu kërkoi mbështetje sidomos përsa i përket Këshillit Bashkiak, pasi, sipas saj, Gledi njihet me anë të punës dhe banorët këtë se venë në dyshim.