Gazment Bardhi takim me të rinjtë në Elbasan: PD ka në plan të paguajë…

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi ka zhvilluar ditën e sotme takim me të rinj në këtë qytet. Pas bisedave me të rinjtë, Bardhi tha se largimi i të rinjve nga Shqipëria është një fenomen shqetësues. “PD ka në plan të paguajë stazhet e punës për të diplomuarit, dhe të mbulojë kostot kryesore të studimeve, si një prej arsyeve që i detyrojnë të rinjtë të largohen”, tha ai.

Gjithashtu ai theksoi se pas 25 prillit kjo situatë do të ndryshojë dhe se do të kthehet vëmendja e duhur tek të rinjtë. “Kjo gjendje duhet dhe do të ndryshojë patjetër me 25 Prill, që të shpëtojë Shqipëria dhe të humbë shkaktari kryesor i këtij eksodi, këtij erozioni që po i lë qytetet dhe fshatrat pa rini, pa njerëzit e kualifikuar, pa energjinë e tyre.

PD ka në plan të paguajë stazhet e punës për të diplomuarit, dhe të mbulojë kostot kryesore të studimeve. Kostot e studimeve, janë një prej arsyeve që i detyrojnë shpesh të largohen, me shpresën që të nxjerrin paratë e harxhuara teksa ishin studentë, për të cilat, familjet e tyre shpesh kanë hyrë edhe në borxhe.

Është për të ardhur mirë që këta të rinj nga gjithë qarku i Elbasanit po i shtojnë aftësive të tyre edhe një gjuhë të huaj si gjermanishtja, por ne jemi të angazhuar që të sjellim këtu kompani, investime e sipërmarrje gjermane dhe europiane, që ata të kenë mundësi të punojnë në qytetin e tyre, me paga të mira, të mos braktisin vendin dhe familjet”, tha Gazment Bardhi.