Pas disa muajsh izolimi të pjesshëm, Greqia do të dalë nga karantina duke filluar nga kjo e hënë. Vendi fqinj do të heqë masat kufizuese për udhëtarët nga BE dhe pesë vende të tjera, përfshirë Serbinë, por jo Shqipërinë. Së fundmi autoritetet greke njoftuan se do të pranojnë të gjitha certifikatat e vaksinimit të lëshuara nga Serbia, madje edhe për dozat e vaksinave që nuk janë miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), të tilla si vaksinat ruse dhe kineze.
Lajmi u bë me dije nga ministri grek i Turizmit gjatë një vizite në Beograd ku u takua me homologen e tij dhe pikë kyçe e bisedimit ishte mënyra e lehtësimit të udhëtimit midis dy vendeve për sezonin e ardhshëm të verës.
Ata diskutuan mundësinë e pranimit të turistëve serbë, të cilët mund të paraqisnin një dokument që vërteton se ata kanë një test negativ PCR ose e kanë kaluar virusin dhe kanë krijuar antitrupa. Në lidhje direkte për “Wake Up” nga Athina, gazetari i TCH, Artur Bibe tha se nga e hëna pritet të ketë një njoftim në lidhje me numrin e shqiptarëve që do lejohen të kalojnë në Kakavijë.
Gjithashtu shtoi se me 29 maj pritet të hapet edhe pika e kalimit kufitar të Kapshticës.
“Do të hapet kufiri për turistët e vaksinuar ose ata që kanë një vërtetim për antitrupa. Bëhet fjalë për qytetarë që i kanë marrë të dyja dozat e vaksinave dhe kanë me vete një vërtetim ku shkruhen të dhënat e qytetarit, spitali ku është vaksinuar dhe sa doza të vaksinës ka marrë.ì
Sot, ndoshta të hënën do të njoftohet një rritje e numrit të personave që do të kalojnë në Kakavijë. Për shqiptarët nuk do të ndryshojë shpejt diçka, por po bëhen ndryshime për punonjësit sezonal për të lehtësuar procedurën.
Nuk do të lejohet të udhëtojnë nëse nuk bëjnë PCR dhe nuk kanë një arsye të fortë për të ardhur në Greqi. Shqipëria duhet të bëjë kodin QR dhe të dhënat e tjera që duhet të jenë në përputhje me sistemin europian të vaksinimit. Për sa i përket Kapshticës, më 29 maj do hapet”, bëri të ditur Bibe.
Ai tha se Greqia mund të hapë kufijtë me Shqipërinë pas 15 majit, deri në 1 qershor. “Me Shqipërinë kemi shifra shumë të larta të infektimit, nuk bëhet fjalë që të kemi një hapje të shpejtë nëse nuk vaksinohet më përpara 30% e popullsisë dhe pjesa tjetër të ajo që i themi imuniteti i tufës.
Këto shifra i llogarisim që Shqipëria mund t’i kapë rreth mesit të majit dhe fundit të tij. Kështu që, koha më e përshtatshme që autoritetet greke thonë se mund t’i hapin me Shqipërinë është pas 15 majit dhe deri në 1 qershor. Besoj se kalkulimet aty na nxjerrin.
Në Shqipëri nuk bëhet kujdes dhe shumë qytetarë falsifikojnë testet. Fajin e kanë autoritetet shqiptare që nuk marrin masa për falsifikatorët”, sqaroi ai.