“Futbolli lojë gabimesh, kemi nevojë për kohë”, Musta: Peng për tifozët, penalltitë i gjuaj prapë

“Penalltitë i humbasin ata që i marrin për sipër dhe mbajnë përgjegjësi mbi supe”. Është ky një postulat i futbollit që i shkon më së miri për shtat edhe Emiljano Mustës. Mbrojtësi i Elbasanit pati mundësinë që t’ia dhuronte tri pikët skuadrës së tij në sfidën me Tiranën, por nuk ia doli dot të ndalë në rrjetë topin nga 11-metrat.

Në prononcimin ekskluziv për “Panorama Sport”, 32-vjeçari shpreh keqardhjen për shokët e ekipit dhe tifozët, por është i bindur se sa herë t’i kërkohet nuk do të hezitojë të godasë sërish nga pika e bardhë e penalltisë. “Futbolli është lojë gabimesh dhe ka situata të caktuara që duhet të marrësh vendime. Shpesh herë ato rezultojnë të duhurat, por edhe të gabuara, siç ishte penalltia me Tiranën.

Por, Musta është i vetëdijshëm për përgjegjësitë që ka në ekip dhe jo rastësisht isha unë goditësi i penalltisë dhe do ta bëj sa herë të më kërkohet nga stafi. Keqardhje ndiej për shokët e ekipit që mund ta mbyllnim me tri pikët të gjithë sakrificën e bërë për 90 minuta, por mbi të gjitha për tifozët që meritonin ta kurorëzonim me fitore. Ata ishin për notën 10 në tribunë dhe na bënë të ndihemi si në shtëpi, ndonëse ishim në transfertë”, u shpreh fillimisht titullari i Elbasanit, i cili ka qenë një ndër lojtarët kyç të ekipit të Roberto Borrdin, duke u katapultuar në qendër të mbrojtjes.

VAZHDIMËSIA

Në vijim të fjalës së tij, Mustës i vjen keq që dolën me vetëm një pikë nga kryeqyteti, por kampionati është i gjatë dhe sigurisht që ekipi do të bëjë më mirë në javët në vazhdim. “Duke parë se si shkoi ndeshja, ndihemi keq, sepse kishim mundësi të dilnim me pikë të plota nga një transfertë e fortë siç është Tirana, por ne jemi brenda çdo pritshmërie që i kemi vendosur vetes. Kampionati është shumë i gjatë, Elbasani është një ekip i madh në futbollin shqiptar, por të mos harrojmë që jemi një ekip i ardhur nga Kategoria e Parë. Me një grup dhe staf të sapo krijuar që ka nevojë për kohë dhe të njohim më mirë njëri–tjetrin, të cilën po e tregojmë javë pas jave.

Kemi nevojë për kohë dhe qetësi, të cilën na e mundëson mjaft mirë dhe drejtuesit e klubit me ambientin pozitiv që kanë krijuar”, vijoi më tej mbrojtësi. Musta ndalet edhe te sfida e radhës, ajo me ish-skuadrën e tij, Egnatian, kampione në fuqi dhe kryesuese e këtij sezoni. “Për ne është thjesht ndeshja e radhës, do t’i japim rëndësinë e duhur. Çdo kundërshtar është mjaft i vështirë, por ne me shumë vlerësojmë veten dhe shpresojmë të dalim me rezultat pozitiv”, mbylli prononcimin e tij për gazetën, Emiljano Musta.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL