Deputetja e Partisë Demokratike dhe shkrimtarja Flutura Açka, ka kujtuar të birin, i cili humbi jetën katër vite më parë. Açka përmes një postimi në Facebook ka rikujtuar dhimbjen që i la pas i biri, ndërsa ende mendon se nuk ia ka dalë që të tejkalojë dhimbjen e madhe që i ka lënë pas humbja e të birit, të cilit i ka bërë dhe një dedikim. Bëhet fjalë për një botim të titulluar “Biri”, ndërsa sot i ka dërguar edhe botimin e ri që ka nxjerrë për lexuesit e saj.
“Te kujtimet, e në ç’tjetër gjë mund të mbahemi pa u rrëzuar? Disa ditë më parë, një mike, e cila kishte humbur vajzën e saj adoleshente në krye të marsit, më pyeti se si ia kisha dalë ta përballoja humbjen e tim biri? A ia kam dalë? Nuk ia thashë që kam drojë se nuk ia kam dalë. Koha pas humbjesh të tilla, që të marrë kuptim, siç thotë Hamleti, “del vetëm nga kyçet”. Pa na u shpërbërë ato, nuk e dimë në kemi rrojtur ndonjë ditë si jetimë të fëmijëve tanë.
Pak ditë nga 5 maji i vitit 2018, kur humba tim bir, një mike, e cila sapo më kishte shpjeguar se mezi numëronte ditët për të shkuar te e bija studente në Europë, më pyeti se si e përballoja kohën. I thashë e qetë e pa e fajësuar për shkujdesjen e pyetjes: “Ja, sikurse ti, duke numëruar ditët, por ty të mbarojnë, mua jo!” Sonte, katër vjet nga lamtumirës me të, veç luleve e qirinjve, kam për të vënë pranë fotos së tim biri edhe librin e ri… e t’i them se… e kam mbajtur fjalën! Ju lutem, miq, mos shkruani mesazhe ngushëllimi. Faleminderit për mirëkuptimin!,”-shkruan ajo në Facebook.