Friday , April 18 2025

Florenc Spaho – Kthimi tek politika njerëzore

Letër dërguar redaksisë nga Yleveri Fejzullahu

Në një kohë kur politika shpesh është kthyer në një garë për të folur më fort, për të sulmuar më ashpër dhe për të marrë më shumë pushtet, qytetarët kanë filluar të kërkojnë diçka ndryshe. Jo thjesht një parti tjetër, por një fytyrë tjetër të politikës – më të qetë, më të afërt, më njerëzore. Në Elbasan, shumë njerëz thonë se e kanë gjetur këtë fytyrë te Florenc Spaho.

Florenci është një emër që nuk vjen nga rreshtat e parë të zhurmës politike, por nga rrugët e qytetit, nga përshëndetjet e përditshme, nga dëgjesat e heshtura dhe ndihmat pa kamera. Banor i lagjes Visarion Xhuvani, ai është rritur me vlerat e thjeshtësisë dhe punës, dhe këto nuk i ka braktisur kurrë.

Sot, si kandidat i Partisë Socialiste në Elbasan, Florenc Spaho nuk kërkon të bjerë në sy me fjalime të mëdha, por me përkushtim të heshtur. Ai është djalë komuniteti – të përshëndet kur të sheh, të dëgjon kur i flet, dhe të respekton edhe kur nuk mendon njësoj me të.

Jo rastësisht, edhe qytetarët që nuk janë pjesë e politikës, edhe ata që ndoshta nuk do të votojnë, flasin mirë për të. Dhe kjo është shenja më e mirë për një njeri që hyn në politikë: kur të respektojnë jo për atë që premton, por për atë që përfaqëson.

Florenci është kthimi tek politika njerëzore, tek politika që ngrihet mbi ndershmëri, drejtësi dhe respekt. Dhe nëse Elbasani do të përfaqësohej nga zëra si i tij, ndoshta shumë prej nesh do të kishin më pak zhgënjim dhe më shumë besim te përfaqësimi.

Yleveri Fejzullahu
Qytetare nga Elbasani