Universiteti i Elbasanit po përballet këtë vit me numër më të ulët të aplikimeve nga ana e studentëve. Ndërkohë që numri i aplikantëve është ulur, të paktën 6 programe studimi do të mbyllen për shkak të mungesës së interesit nga ana e studentëve.
Emigrimi masiv i të rinjëve nga vendi është reflektuar në regjistrimet në Universitet.
Në Elbasan, nga 10.500 aplikime që kishte vitin që shkoi faza e parë dhe e dytë për programet e ciklit Bachelor në Universitetin Aleksandër Xhuvani këtë vit numëron rreth 2000 më pak.
Peçi Naqellari Zv.Rektor i universitetit A.Xhuvani shprehet se “gjendja për universitetet e arsimit të lartë ka rënë”.
Numri më i ulët i aplikimeve ka bërë që të paktën 6 programe të rrezikojnë që të mbyllen.
Peçi Naqellari: De facto janë të mbyllura, de jure ne do të aplikojmë për ti hequr nga lista e Universitetit të Elbasanit. Kemi dhe programe të cilat janë të rrezikuara.”
Universiteti Aleksandër Xhuvani, ofron këtë vit 2000 kuota të lira, ndërsa Degët e preferuara edhe për këtë vit vijojnë të mbeten ato te mjekësisë, e më pak të preferuarat mësuesia.
Peçi Naqellari: Kemi aplikime të mira dhe vijueshmëri të mirë të programeve në programet e studimit të shkencave mjekësore teknike. Ka dhe problematika në lidhje me programet e studimit që kanë orientim për mësuesi.
Një panoramë e qartë e numrit të studentëve dhe regjistrimet në të gjitha universitetet pritet ta kemi në fillim të vitit akademik.